Abuzime sistematike në ligën amerikane të futbollit për femra, nisin hetimet mbi skandalin
Një hetim i pavarur mbi skandalet që shpërthyen në Ligën Kombëtare të Futbollit për Femra në Shtetet e Bashkuara zbuloi se abuzimi emocional dhe sjelljet e rënda seksuale ishin sistematike në këtë sport, duke ndikuar shumë ekipe, trajnerë dhe lojtarë.
Federata amerikane e Futbollit urdhëroi hetimin e drejtuar nga ish-prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Sally Yates dhe një firmë ligjore pasi ish-lojtaret e Ligës amerikane të Futbollit për Femra, Sinead Farrelly dhe Mana Shim dolën në publik me akuza për ngacmim seksual ndaj tyre të kryera rreth 10 vjet më parë.
“Abuzimi është i rrënjosur thellë në kulturën e Ligës Amerikane të Futbollit për Femra, duke filluar nga grupmoshat e reja, që ka normalizuar abuzimin dhe ka mjegulluar kufijtë në marrëdhëniet mes trajnerëve dhe lojtareve”, tha zonja Yates.
Cindy Parlow Cone, preisdente e organizatës “US Soccer”, e cila i mbikqyr ligat amerikane të futbollit, i quajti “të rënda dhe thellësisht shqetësuese”, gjetjet e publikuara në raport. Ajo tha se drejtorët dhe udhëheqësit e ekipeve të futbollit do të fillojnë menjëherë të zbatojnë rekomandimet e raportit.
Gjatë hetimit u bë e qartë se problemet me ngacmimet seksuale ishin të përhapura. Pesë nga 10 trajnerët kryesorë në ligë sezonin e kaluar u shkarkuan ose dhanë dorëheqje për shkak të akuzave për sjellje të pajishme./VOA