Shorti i eliminatoreve “Euro 2024”, ja rivalët e Shqipërisë
Kombëtarja Shqiptare e Futbollit sot u njoh me rivalët në kualifikueset e Kampionatit Europian “EURO 2024” që do të zhvillohet në Gjermani. Nga shorti i hedhur në mesditë në Frankfurt, u mësua se në Grupin E, Shqipëria do të përballet me Poloninë, Republikën Çeke, Ishujt Faroe e Moldavinë.
SHORTI
GRUPI A – Spanjë, Skoci, Norvegji, Gjeorgji, Qipro
GRUPI B – Holandë, Francë, Irlandë, Greqi, Gjibraltar
GRUPI C – Itali, Angli, Ukrainë, Maqedoni e Veriut, Maltë
GRUPI D – Kroaci, Uells, Armeni, Turqi, Letoni
GRUPI E – Polonia, Republika Çeke, Shqipëria, Ishujt Faroe, Moldavia
GRUPI F – Belgjikë, Austri, Suedi, Azerbajxhan, Estoni
GRUPI G – Hungari, Serbi, Mali i Zi, Bullgari, Lituani
GRUPI H – Danimarkë, Finlandë, Slloveni, Kazakistan, Irlandë e Veriut, San Marino
GRUPI I – Zvicër, Izrael, Rumani, Kosovë, Bjellorusi, Andorra
GRUPI J – Portugali, Bosnjë Hercegovinë, Islandë, Luksemburg, Sllovaki, Lihtenshtejn.
Disi me fat, tashmë kuqezinjtë e Edy Rejas kanë shansin e artë për të prekur kualifikimin e shumëdëshiruar për në Europian. Një short i pranueshëm mund të konsiderohet edhe ai i Kosovës. Në Grupin I, Dardanët janë me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë e Andorrën. Pa fat ka qenë Maqedonia e Veriut, teksa u shortua në Grupin C, pikërisht aty ku janë edhe Anglia e Italia. Përplasje e fortë edhe në Grupin B ku gjendjen ekipe si Franca e Holanda.
Në këto eliminatore morën pjesë 53 skuadra ndërsa si organizatore e UEFA EURO 2024, Gjermania kualifikohet automatikisht, ndaj nuk u bë pjesë e shortit. Bazuar në vendimet e mëparshme të UEFA-s, për shkak të agresionit rus në Ukrainë, Rusia është e përjashtuar.
53 skuadrat ishin klasifikuar në gjashtë vazo, në bazë të renditjes së përgjithshme të UEFA Nations League 2022/23 dhe u ndanë në dhjetë grupe kualifikuese, shtatë nga të cilat me pesë skuadra (nga Grupi A deri në Grupin G) dhe tre grupe me nga gjashtë skuadra (nga Grupi H deri në Grupin J).