Japonezia mashtrohet nga “astronauti rus”, i kërkonte para që të kthehej në Tokë dhe të martoheshin!
Kohët e fundit është rritur numri i atyre që po tentojnë të mashtrojnë përmes rrjeteve online. I tillë ishte dhe ky i fundit. Një grua 65-vjeçe nga Japonia ishte viktimë e një mashtrimi në internet, që i kushtoi shtrenjtë. Fatkeqësisht ky mashtrim bëri që ajo të humbiste plot 30 mijë dollarë.
Megjithatë, rasti i saj është paksa i pabesueshëm. Siç raportojnë mediat japoneze, 65-vjeçarja kishte krijuar kontakte me një mashtrues përmes rrjetit social Instagram, i cili publikoi imazhe sikur ishte në hapësirë. Ai i tha asaj se është astronaut rus dhe se gjendet në stacionin ndërkombëtar hapësinor dhe ka qasje të kufizuar në internet.
Komunikimin e vazhduan në aplikacionin japonez për shkëmbim mesazhesh LINE, ku mashtruesi i shprehu dashurinë gruas, duke pretenduar se mendon të fillojë një jetë të re me të në Japoni. Ai i tha se ka nevojë për para në mënyrë që të mund të rikthehet në Tokë.
Gjithashtu “austronauti” pretendoi se i duhen shumë para për të mbuluar koston e shpenzimeve derisa të arrijë tek ajo. Argumentet e tij të çuditshme përfshin kosto, siç është çmimi i arritjes me aeroplan në Japoni dhe udhëtimi i tij me raketë deri në Tokë.
Kështu ajo i dërgoi atij 30 mijë dollarë amerikanë në pesë këste dhe e gjitha kjo ndodhi brenda një muaji. Megjithatë ai nuk u mjaftua dhe vazhdoi t’i kërkojë para, e ajo iu drejtua policisë që më pas filluan hetimet. Në fund u konstatua, se “astronauti rus” kishte mashtruar më herët edhe një japoneze tjetër.