Stoltenberg: Perëndimi do të ‘asgjësonte’ ushtrinë ruse nëse do të përdoreshin armë bërthamore
Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s po zhvillojnë në Bruksel ditën e dytë të bisedimeve për të vlerësuar situatën në Ukrainë, një ditë pasi aleanca u zotua të dërgojë më shumë furnizime të mbrojtjes ajrore në vend. Takimi i NATO-s mbahet mes planeve të aleancës ushtarake për të mbajtur një stërvitje bërthamore javën e ardhshme si edhe mes shqetësimeve për paralajmërimet e Presidentit Vladimir Putin se ai do të përdorë çdo mjet të nevojshëm për të mbrojtur territorin rus.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Lloyd Austin tha se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të mbrojnë aleancën.
Ndërkaq Shefi i NATO-s, Stoltenberg theksoi se Perëndimi do të qendrojë në krah të Ukrainës për aq kohë sa duhet. Udhëheqësit ukrainas po u kërkojnë Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe armë me rreze më të gjatë veprimi për të vazhduar kundërsulmin e tyre ndaj Rusisë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg , ka paralajmëruar Rusinë se një “vijë shumë e rëndësishme do të kalohet” nëse përdor armë bërthamore në Ukrainë.
Stoltenberg tha se nuk do të zbulonte përgjigjen e mundshme të aleancës së mbrojtjes në një situatë të tillë, por tha se do të kishte “pasoja të rënda”.
Rrethanat në të cilat NATO mund të përdorë armë bërthamore janë “jashtëzakonisht të largëta”, tha ai gjithashtu në një konferencë shtypi.
Aleatët e Ukrainës nga 50 vende janë takuar në selinë e NATO-s në Bruksel për një samit që Kievi e quajti “historik”.
Më herët sot, aleatët e udhëhequr nga NATO njoftuan dërgesat e armëve të avancuara të mbrojtjes ajrore në Kiev.