Tritol banesës së policit në Lezhë, dëme materiale!
Shpërthim tritoli në Lezhë, në shënjestër banesa e një efektivi të Policisë Rrugore, por fatmirësisht pa dëme në njerëz, vetëm materiale. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 pas mesnate, ndërsa lënda plasëse iu vendos shtëpisë së shtetasit Zef Kola, në fshatin Manati. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për të zbardhur rrethanat, si dhe identifikuar e kapur autorin apo autorët. Nga dëshmia e kryefamiljarit priten më shumë detaje.
Njoftimi zyrtar i Policisë Lezhë:
Në fshatin Manati, në portën e oborrit të banesës së shtetasit Z. K., rreth 50 m nga godina e banesës, në anë të rrugës kryesore Manati-Lezhë, është vendosur një sasi e dyshuar lëndë plasëse e cila ka shpërthyer duke dëmtuar një seksion të portës.
Në vendngjarje mbërritën specialistë të Njësisë Antieksploziv, për të kryer veprimet përkatëse për përcaktimin e llojit dhe sasisë së lëndës plasëse.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes, vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.