Emigrantët e zhveshur në Greqi, OKB kërkon hetime!

vovalbania October 17, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Emigrantët e zhveshur në Greqi, OKB kërkon hetime!

UNHCR, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, reagoi duke u shprehur “shumë e shqetësuar” pas identifikimit të gati 100 burrave të zhveshur në kufirin mes Greqisë e Turqisë. Athina e Ankaraja zyrtare, fajësojnë njëra-tjetrën për gjendjen e rëndë të 92 emigrantëve. Për Greqinë, “sjellja e turqve është turp për civilizimin”. Por, Turqia i hedh poshtë pretendimet, duke i cilësuar “lajme të rreme”, ndërsa akuzon palën greke për “mizori”.

Ndërkohë, Agjencia e OKB-së për Refugjatët ka bërë thirrje për hetime teksa nuk e fshehu tronditjen për raportimet e pamjet shokuese. Policia greke njoftoi se të premten e kaluar, më 14 tetor, shpëtoi 92 burra të zhveshur e disa prej tyre ishin edhe të plagosur, pranë kufirit verior me Turqinë.

Zyrtarët policorë njoftuan se hetimet e tyre e të zyrtarëve të Agjencisë së Bashkimit Europian për Kufijtë, Frontex, zbuluan të dhëna se përmes Turqisë, emigrantët kaluan lumin Evros në territorin grek, me disa gomone.

Autoritetet greke raportuan se burrave u janë dhënë veshmbathje, ushqim e ndihma e parë. Ende nuk dihet si dhe pse ata kanë mbetur të zhveshur. Frontex deklaroi se kryesisht ishin shtetas nga Afganistani e Siria.

Greqia i ka bërë thirrje Turqisë që të respektojë një marrëveshje të vitit 2016 me Bashkimin Europian, sipas së cilës, Ankaraja ka rënë dakord të ndalë valën e emigrantëve në Europë, në këmbim të miliarda eurove si ndihmë. Athina ka thënë se së shpejti do të vendosë tela me gjemba në një territor prej 40 kilometrash, në kufi me Turqinë, për të parandaluar hyrjen e emigrantëve në shtet.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65240 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE