Lajçak në Beograd, takim me presidentin serb Vuçiç!

vovalbania October 17, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Lajçak në Beograd, takim me presidentin serb Vuçiç!

Në Beograd, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Mirosllav Lajçak, sot takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Siç njoftuan burime zyrtare nga kabineti i kreut të shtetit, pas takimit nuk do të ketë deklarata për media. Lajçak po qëndron në Beograd pas një takimi të zhvilluar katër ditë më parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Pas atij takimi u theksua se përshkallëzimi i gjendjes nuk është në interesin e askujt.

Ndërkohë, gazetarëve në Prishtinë, Lajçak u tha se me kryeministrin Kurti diskutuan për disa tema, përfshirë atë të riregjistrimit të autoveturave me targa serbe në RKS (Republika e Kosovës). Po ashtu, zyrtari europian përmendi se “afati për riregjistrim skadon më 31 tetor” dhe se “bashkësia ndërkombëtare dëshiron të dijë se cilat janë planet në këtë drejtim”.

Deri tani, Qeveria e Kosovës ka përsëritur qëndrimin se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet e se nga data 1 nëntor nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia. Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, por janë lejuar në veriun e vendit me shumicë serbe.

Verën e kaluar, në datat 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë në veri të Kosovës vendosën barrikada në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë për zbatimin e dy vendimeve: targat e makinave e dokumentet serbe. Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve u shty për më 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.

Ndërkohë u arrit marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje. Në vitin 2011, Kosova dhe Serbia nisën negociatat për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen reciproke mes dy shteteve, Serbia nuk pranon e refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës. Beogradi zyrtar flet vetëm për një “zgjidhje kompromisi”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65768 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE