Kevin Spacey mohon akuzat e aktorit Anthony Rapp për ngacmim seksual!
Kevin Spacey ka mohuar për herë të parë përpara gjykatës, akuzat e ngritura ndaj tij, për ngacmim seksual nga aktori Anthony Rapp, i cili këmbëngul se Spacey e ka sulmuar seksualisht në vitin 1986, kur ai ishte vetëm 14 vjeç. Rapp, tashmë 50 vjeç, e dha dëshminë e tij në shtator, ku edhe njëherë akuzoi drejtpërdrejtë aktorin Kevin Spacey, në atë kohë 26 vjeç dhe punonte në “Broadway”, se e sulmoi seksualisht në një festë në Manhatan.
Anthony Rapp thotë se ajo eksperiencë e trembi aq shumë për botën e Hollivudit, sa iu desh të heqë dorë. I gjendur përballë akuzave të përsëritura, aktori Kevin Spacey i mohoi akuzat, teksa qëndronte si i akuzuar përballë jurisë. Akuzat u bënë publike për herë të parë në nëntor të vitit 2020, me Anthony Rapp që sot kërkon një dëmshpërblim 40 milionë dollarë nga aktori, për shqetësimet dhe stresin emocional ndër vite.
Kevin Spacey ka fituar çmimin Oscar për rolin e tij në filmin “American Beauty” dhe çmimin si aktori më i mirë mashkull në filmin “The Usual Suspects”, por karriera e tij u shkatërrua pas më shumë se 20 akuzave ndaj tij, nga meshkuj të ndryshëm, për abuzime seksuale. Netflix e përjashtoi aktorin nga drama “House of Cards”, ndërsa Christopher Plummer e zëvendësoi për rolin në filmin “All the Money in the World”.
Rikujtojmë se Kevin ka humbur një apel për të mos paguar një pagesë prej gati 25.5 milionë paund për producentët e serialit “House Of Cards” në Netflix, pas shkarkimit të tij për akuzat për ngacmim seksual. Kërkesa e aktorit u refuzua nga një gjykatës amerikan dy vjet pasi një gjykatës vendosi se skandalet e tij seksuale përbënin një shkelje të kontratës. Gjykatësi vendosi se Spacey kishte dështuar të “dëshmonte se ky është një rast i parëndësishëm”.