Çmimet e larta frenojnë konsumin!

vovalbania October 19, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Çmimet e larta frenojnë konsumin!

Çmimet e larta rezultojnë se po frenojnë konsumin për shumë produkte. Sipas INSTAT-it, në periudhën janar-shtator, importet në sasi ranë me gati 6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndonëse në sasi kanë rënë, importet në vlerë u rritën me 25%, ose rreth 139.5 (1.2 miliardë euro) më shumë.

Tendenca tkurrëse në sasi është ndikuar kryesisht nga reduktimi i importeve të grupit “Lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre”, që ranë me 16% për 9 mujorin me bazë vjetore. Rritja e çmimeve të karburanteve rezulton se po e frenon konsumin në vend.

Nafta tregtohet me 240 lekë, nga 185 lekë që ishte në fund të shkurtit, përpara se të fillonin sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës që çuan në një valë shtrenjtimesh të shumë produkteve. Nafta është sot 30% më e shtrenjtë se në fillim të vitit.

Në rënie vijojnë të jenë dhe plehëruesit, me tkurrje 47% për 9 mujorin, një tregues i vështirësive që po kalon sektori bujqësor.  Burimet nga tregu bënë të ditur se heqja e subvencioneve dhe vënia e TVSH-së mbi inputet, të kombinuara me çmimet e larta të plehëruesve në tregjet ndërkombëtare i bënë të papërballueshme blerjet nga fermerët shqiptarë.

Për shkak të kostove të larta, këtë sezon fermerët kanë kryer më pak mbjellje si në sera, edhe në fushë. Në kontrast, importet e zarzavateve për 9 mujorin janë rritur ndjeshëm në sasi me 44%.

Fermerët në zonat prodhuese të vendit Lushnjë e Berat thonë se importet e prodhimeve bujqësore do të rriten me shpejtësi në të ardhmen pasi sipërfaqet e mbjella në vend kanë rënë këtë vit dhe prodhimet që realizohen kanë kontrata me eksportin. Hendeku që mbetet në tregun vendas po mbulohet me import.

Importet e drithërave u tkurrën me 22% për janar-shtator, duke reflektuar tkurrje të konsumit, që sipas operatorëve po ndikohet edhe nga emigracioni. Ky i fundit po bëhet faktor i ndjeshëm në konsum, sipas raportimeve nga shumë sektorë, që po ndiejnë rënien e fuqisë blerëse për shkak të mungesës së njerëzve, sidomos të rinjve. Në rënie vijon dhe kafeja, me importet e këtij produkti që ranë rreth 10%.

Rikthehet ndërtimi

Ndërsa konsumi po vjen në rënie për shkak të çmimeve të larta dhe emigracionit, ndërtimi i është rikthyer vrullit. Pas rënies së importeve të materialeve të ndërtimit në pjesën e parë të vitit, si rrjedhojë e çmimeve të larta, sidomos hekurit, muajt e fundit po importohet më shumë. Sipas INSTAT-it, importet e gizës e çelikut u rritën me 5% për janar-shtator.

Duhen më shumë para për të blerë më pak produkte

Në shtator, inflacioni, sipas INSTAT-it arriti në 8.1%, niveli më i lartë që nga viti 1998, kur vendi po vuante pasojat e krizës së piramidave. Rritja e lartë e çmimeve ka bërë që për të blerë të njëjtën sasi produktesh apo më pak, të të duhet të shpenzosh më shumë. Ndonëse në sasi importet ranë me 6%, në vlerë ato u rritën me 25%, duke arritur në 695 miliardë lekë (5.8 miliardë euro).  Si rrjedhojë, për të blerë 6% më pak mallra janë paguar  139.5 miliardë lekë më shumë (1.2 miliardë euro), për 9 mujorin 2022, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65722 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE