Informaliteti, kontrolle të Tatimeve në arsimin privat, media e sigurime!

vovalbania October 20, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Informaliteti, kontrolle të Tatimeve në arsimin privat, media e sigurime!

Pasi përfundoi faza I, në fund të muajit qershor, me kontrollin e 18 subjekteve të vlerësuara me risk të lartë nga Drejtoria e Menaxhimit të Riskut, ka nisur faza II, e cila konsiston në kontrollin e 3 sektorëve më me risk, si: Sektori i Institucioneve të Arsimit Privat, Sektori i Mediave dhe Komunikimit dhe Sektori i Shoqërive të Sigurimeve.

Nga analiza e thelluar e menaxhimit të riskut, në secilin prej këtyre sektorëve, janë identifikuar subjekte me risk të evazionit, nëpërmjet mosdeklarimit real të pagave për të punësuarit në profesione të ndryshme. Konkretisht, në sektorin e Institucioneve të Arsimit Privat, kontrollet janë përqëndruar në 7 subjekte, nga të cilat 4 shkolla të mesme të arsimit privat dhe 3 universitete, për arsye se bazuar në analizat e riskut, këto institucione të arsimit privat rezultojnë me mbi 45% të të punësuarve me pagë më të ulët se mesatarja e sektorit të arsimit.

Në sektorin e Mediave edhe Komunikimit, kontrollet e Administratës Tatimore janë përqëndruar në 5 subjektet e vlerësuara me risk të lartë sa i takon fenomenit të nëndeklarimit të pagave, kur për pozicione si: Gazetar, kameraman, skenarist, montazhier, etj. paga është më e ulët se mesatarja e sektorit për këto profesione.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se në vijim kontrollet, në zbatim të Planit Antiinformalitet, do të shtrihen edhe në sektorin e Shoqërive të  Sigurimeve, i treti sektor i vlerësuar me risk të lartë, pas arsimit privat dhe medias, për shkak se në subjekte të caktuara pozicione të ndryshme pune janë deklaruar me pagë më të ulët krahasuar me të njëjtat pozicione në subjekte të ngjashme, brenda të njëjtit sektor.

Kujtojmë se në bazë të analizave dhe kritereve të riskut, Administrata Tatimore ka informuar në mënyrë të vazhdueshme tatimpaguesit e vlerësuar me risk të lartë, duke dërguar edhe letra të personalizuara në adresë të tyre, me qëllim ndërgjegjësimin dhe inkurajimin e tyre për deklarimin real të pagave për të formalizuar marrëdhëniet ekonomike mes biznesit dhe punëmarrësve të tyre.

Me qëllim ndërgjegjësimin e tyre, në dhjetor të vitit 2021, Administrata Tatimore u dërgoi letër të personalizuar, 10.153 tatimpaguesve, të cilët e kishin thyer këtë kriter risku, duke i bërë thirrje të reagonin për të vetërregulluar deklarimin e pagave për punonjësit e tyre. Ndërsa në muajin gusht, DPT u dërgoi 2278 letra të personalizuara subjekteve, që i përkisnin sektorit të Shoqërive të  Sigurimeve, sektorit të Mediave dhe Komunikimit dhe sektorit të Institucioneve të Arsimit privat, 3 sektorët e tjerë të vlerësuar me risk të lartë, pas sektorit të ndërtimit dhe tregtisë.

Administrata Tatimore është e angazhuar të marrë masat e nevojshme për fuqizimin e luftës kundër informalitetit, ndaj fton qytetarët të japin kontributin e tyre duke denoncuar rastet e mosdeklarimit të saktë të pagave, si një mekanizëm mbrojtës për të mos rrezikuar pensionin në të ardhmen.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65745 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE