Çmimet e kafesë ndryshojnë në varësi të gjinisë, pronari i një lokali në Itali i hap telashe vetes!
Disa ditë më parë pronari i një kafeneje në Siçili vendosi përballë lokalit të tij një pankartë me ofertën e re që parashikonte çmime të ndryshme për pirjen e kafesë. Kjo shaka e pronarit u keqkuptua dhe i hapi atij telashe. Çmimet ndryshonin jo në varësi të orarit, por nga gjinia.
Për meshkujt, kafeja kushtonte 0.80 cent, ndërkohë për gratë zbriste me 10 cent. Pronari kishte shtuar edhe kategorinë “Lgbtqiat+”. Çmimi për to, ishte 75 cent, praktikisht midis çmimit të meshkujve dhe grave.
Nuk dihet nëse një tarifë e tillë ishte efektive apo thjesht një batutë, por pamjet dhe lajmi u përhapën shpejt në çdo cep të Italisë, duke shkaktuar reagimin e shoqatave që mbrojnë ato kategori. Një nga kritikët u shpreh se:
Ndërkohë që ne po bëjmë fushate që në Parlament deputetët mos të jenë të ndarë vetëm në gra dhe meshkuj, ende ka njerëz që na diskriminojnë në kafe.
Sipërmarrësi u detyrua të tërhiqej nga fushata, para se të humbiste klientë.