Britani e Madhe, Rishi Sunak kandidat zyrtar për Downing Street!
Për të dytën herë në pak muaj, Rishi Sunak zyrtarizon kandidaturën për të qenë ai lideri i konservatorëve britanikë dhe kryeministri i ri i Britanisë së Madhe tani që Liz Truss u dorëzua e nuk mundi të rezistojë më shumë se 45 ditë. Në garën e mëparshme, Truss e mundi, ndërsa tani, Sunak po shfrytëzon momentin e ri të krijuar. Ai premton “integritet, profesionalizëm e përgjegjësi në të gjitha nivelet e qeverisjes”.
Në një mesazh të postuar në Twitter, shkruan:
Mbretëria e Bashkuar është një vend i madh, por po përballet me një krizë të thellë ekonomike. Për këtë po kandidoj, të jem kryetar i Partisë Konservatore dhe kryeministri i ardhshëm. Ju kërkoj një mundësi për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve, të drejtoj partinë e vendin tonë drejt zgjedhjeve të përgjithshme, besimplotë për rezultatet tona.
BBC raporton se aktualisht, Sunak gëzon mbështetjen e 130 deputetëve konservatorë kundrejt 55 që janë për rikthimin e Boris Johnsonit dhe 23 pro Penny Mourdantit. Këtyre shifrave i mungojnë 49 ligjvënës që ende duhet të zgjedhin mes tre emrave.
Në çdo rast, rivali i tij kryesor do të ishte Johnson, i cili synon të kandidojë, por më parë i duhet mbështetja e gjerë. Rikthimi vetëm në pak muaj nuk është diçka e lehtë. I detyruar të dorëhiqet për shkak të skandaleve etike që goditën qeverinë e drejtuar prej tij, me rikthimin e Johnsonit mund edhe të dërgohen sinjale të gabuara te qytetarët e konservatorët duhet të mendohen mirë.
Ndërkohë, Britania e Madhe nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme ekonomikisht e sikur të mos mjaftonte kjo, lëvizjet kaotike të Trussit bënë që 45 miliardë paund të planit të pafinancuar të shkurtimit të taksave shkaktuan trazira në tregjet financiare, duke dëmtuar vlerën e paundit dhe rritur koston e huamarrjes së qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Banka e Anglisë u detyrua të ndërhynte për të parandaluar përhapjen e krizës në ekonominë e gjerë dhe vënien në rrezik të fondeve të pensioneve.