Britania vlerëson efikasitetin e Ukrainës në rrëzimin e dronëve iranianë!

vovalbania October 24, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Britania vlerëson efikasitetin e Ukrainës në rrëzimin e dronëve iranianë!

Përpjekjet e forcave ushtarake ukrainase për të rrëzuar dronët e prodhimit iranian, Shahed-136, janë “gjithnjë e më të suksesshme”, ndërsa Rusia vazhdon t’i përdorë këto lloje dronësh kundër shënjestrave të ndryshme në mbarë Ukrainën. Kjo theksohet këtë fillimjavë në buletinin e përditshëm të Ministrisë britanike të Mbrojtjes që citon burime të Inteligjencës lidhur me luftën ruse e cila nisi plot tetë muaj më parë, më 24 shkurt të këtij viti, në emër të operacionit ushtarak për çmilitarizimin e Ukrainës fqinje.

Po ashtu, Londra zyrtare vlerëson se këta dronë janë të ngadalshëm, të zhurmshëm e fluturojnë në lartësi të ulëta, duke u bërë shënjestër e lehtë për mbrojtjen konvencionale ajrore. Inteligjenca britanike citon burime zyrtare ukrainase, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, i cili pretendon se “deri në 85 për qind e sulmeve të pushtuesve po pengohen”.

Ukraina thotë se Rusia po godet infrastrukturën e saj duke përdorur dronët Shahed-136 që nisen drejt objektivit e shpërthejnë sapo përplasen me të. Si Irani, ashtu edhe Rusia, i mohojnë këto akuza. Dy ditë më parë, Teherani zyrtar kritikoi thirrjet e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, që Kombet e Bashkuara të hetojnë pretendimet se Rusia po përdor dronët e prodhimit iranian për të sulmuar Ukrainën. Republika Islamike e Iranit refuzon e dënon thirrjet e ndërkombëtarëve për hetim mbi përdorimin e dronëve në Ukrainë.

Për Inteligjencën britanike, ka të ngjarë që forcat e Moskës të përdorin një numër të madh të dronëve Shahed-136, në mënyrë që të shmangin mbrojtjen ajrore ukrainase, e cila, sipas Britanisë së Madhe sa vjen e po bëhet gjithnjë e më “efektive”. Në buletinin e Inteligjencës britanike u sugjerua se Rusia ka gjasa që t’i përdorë dronët iranianë si zëvendësim për armët preçize me rreze të gjatë veprimi që prodhohen nga Moska, ndërsa stoqet e tyre janë duke u pakësuar në mënyrë të ndjeshme.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65715 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE