Përgatitja për emergjencat, tre skenarët për investime!
Përgatitja e Shqipërisë siç duhet për t’u përgjigjur në rast emergjencash e fatkeqësish natyrore ka nevojë për ndërhyrje, qoftë në kuadrin ligjor, ashtu edhe në pajisje dhe staf të kualifikuar. Një raport i fundit i Bankës Botërore sjell në vëmendje faktin se këto investime mund të shtrihen në afatshkurtër, afatgjatë e afatmesëm dhe nevoja e aktiviteteve për periudhën 1-5 vjet mund të shkojë në 100 milion USD.
Raporti përfshin rekomandimet për përmirësimin e kapaciteteve të sistemit EP&R (përgatitje dhe përgjigje në emergjencë) në Shqipëri, bazuar në Metodologjia diagnostike Ready2Respond (R2R – Gati për t’u përgjigjur), e krijuar nga Banka Botërore.
Rekomandimet bazohen në Raportin Diagnostikues R2R të Shqipërisë dhe janë të grupuara për secilin nga pesë komponentët të Metodologjisë R2R dhe janë të detajuara më tej në 20 projekt propozime konkrete.
Projektet e përzgjedhura duhet të të perceptohen si mundësi kyçe investimi për Bankën Botërore dhe partnerët ndërkombëtarë për të ndihmuar vendin drejt maturimit të sistemit të tij EP&R.
Për më tepër, raporti përshkruan skenarët e mundshëm të investimeve. Bëhet një ndarje e parë sipas kohës me të mundshme, investimet që do të bëhen në afat të shkurtër (një vit), afatmesëm (një deri në tre vjet) dhe afatgjatë (tre deri në pesë vjet).
Një ndarje e dytë i kategorizon projektet sipas prioriteteve, duke grupuar projektet në totalin e investimeve për 20 milion USD, 60 milion USD dhe 100 milion USD.
Por si janë të ndarë komponentët e nevojshëm për të investuar dhe sa llogaritet vlera për secilin?
Kjo është një tjetër analizë e raportit ku për komponentin e parë, përgatitja ligjore dhe institucionale ka një total prej 1.2 milion USD e cila ka në fokus përgatitjen e kuadrit të ri sipas nevojës.
Komponenti i dytë informimi ka një përllogaritje investimesh të nevojshme prej 19.4 milion dollarësh dhe që në përbërje të tij ka nxitjen e angazhimit të komuniteteve, sistem gjeomatik i ri për Shqipërinë, përmirësimin e disa hallkave të vendimmarrjes që shkurtojnë kohën në rastet e emergjencës si dhe zbatime të sistemeve GIS.
Komponenti tre ka të bëjë me lehtësitë me një vlerësim potencial të investimeve prej 33.2 milion USD ku një pjesë e mirë është përfshirë për investimin në qendrat e operimit të emergjencave apo investime lokale në funksion të logjistikës dhe magazinave.
Pajisjet janë komponenti i katërt me vlerë 41.6 milion euro dhe përfshijnë investime në stacionet e shëndetit në zonat lokale, komunikime moderne radio, forcimi i kapaciteteve të bashkive në rastet e fatkeqësive forcimi i shpëtimit në aspektin teknik dhe të zjarrfikësve.
Komponenti pesë është personeli që vlerësohet me një nevojë investimi 2.9 milion USD dhe konsiston në rritjen e numrit të stafit dhe trajnimin e tyre si dhe rritjen e ekspertëve të certifikuar.
Raporti vëren se investimet duhet të shkojnë paralelisht në të pestë komponentët, për ta bërë këtë reagim emergjence funksional dhe anashkalimi i njërit e bën të pamjaftueshëm përgjigjen ndaj rasteve të tilla. Monitor