Vrasja e Laer Kurtit, zbardhet dëshmia e dy efektivëve që e ndaluan!
2 efektivët e policisë që kanë ndaluar të riun Lear Kurti, kanë dhënë dëshminë e tyre se si ka ndodhur ngjarja. Një nga efektivët ka treguar bisedën që ka pasur me të riun. Në dëshminë e zbardhur nga gazetari Igli Çelmeta, efektivi deklaron se kur e ndaloi të riun ai refuzoi të jepte dokumentin e identifikimit, dhe u largua me vrap. Efektivi tregon se e ndoqi dhe rrugës u rrëzuan në tokë të dy.
Ai ka rrëfyer se lear Kurti filloi të ndihej keq dhe e futën në makinë që të qëndronte ulur, një deklaratë kontradiktore kjo me AMP-në, me këta të fundi që thanë se i riu është ndjerë keq në komisariat.
Referuar të njëjtës, dëshmi i riu është dërguar në Komisariat nga patrulla tjetër dhe jo nga ajo që e ndaloi. Efektivët tregojnë se kur kanë dashur ta zbrisnin nga makina, 32-vjeçari është mbajtur me forcë te sedilja e makinës dhe nuk donte të dilte dhe ta fusnin në komisariat. Në ato momente, Lear Kurti është ndjerë sërish shumë keq, bënte lëvizje të pakontrolluara, e për pasojë e kanë dërguar vetë në spital, pasi sipas tyre ambulanca u vonua. Në total në vendngjarje kanë qenë 3 efektivë.
“Rreth orës 23:07 bashkë me dy kolegët ishim në patrullim me makinë në rrugën “Riza Çuka” dhe në një moment konstatuam një të ri, i cili po ecte dhe kreu disa veprime të dyshimta. Në bazë të kësaj i kërkova verifikim. I kërkova mjet identifikimi, por ai nuk kishte. Më pas e pyeta nëse kishte sende të kundërligjshme me vete dhe më pas sa dola nga automjeti, i riu u largua me vrap. Pasi e ndoqa pas 2 minutash arrita ta ndaloj përballë një marketi. Pasi e ndalova, si unë ashtu edhe i riu u rrëzuam përtokë dhe në këtë moment u afruan edhe dy kolegët e mi. E ngritëm në këmbë të riun dhe kërkuam ndihmën e patrullave.
E ulëm në trotuar dhe pamë që i riu kishte vështirësi në frymëmarrje. Menjëherë kontaktova me drejtorinë vendore dhe kërkova një autoambulancë dhe që i riu të ndjehej më mirë e futëm në makinë, jo në makinën që kisha në shërbim, por në makinën tjetër. Filloi të ndihej më mirë dhe i thamë të qetësohej, ndërkohë që aty erdhën patrullat me kod 20 dhe 22. Në këtë moment kolegu tjetër i vendosi prangat dhe më pas u kthyem për të kontrolluar rrugën nëse kishte hedhur apo jo sende të kundërligjshme, por nuk gjetëm, kurse patrulla tjetër e dërgoi të riun në komisariat.”, thuhet në një nga dëshmitë.
Më pas vijon dëshmia e efektivit tjetër që thotë: “I riu fërkonte gjoksin dhe ulte kokën poshtë. Kur arritëm në komisariat i riu u kap te sedilja e makinës dhe nuk donte që të dilte, më pas e nxorëm nga makina me vështirësi dhe sapo doli prej aty filloi të dridhej, të shtrëngonte dhëmbët dhe bënte lëvizje të pakontrolluara. Menjëherë tentuam t’i jepnim ndihmë duke u munduar t’i hapnim gojën dhe i mbajtëm kokën mbrapa që të mos godiste pllakat, pasi po bënte lëvizje të pakontrolluara, i vendosëm një shkop hekuri në dorë pasi menduam për shenja epilepsie. Kolegët e mi njoftuan autoambulancën dhe duke parë gjendjen e tij, e futëm në automjet policie dhe e dërguam në spitalin e traumës pasi ambulanca po vonohej”.
Vrasja e Lear Kurti është mbuluar me mister. Kjo ka ardhur si pasojë e deklaratave kontradiktore që kanë pasur në fillim mes policisë, AMP-së si edhe spitalit të Traumës. Opozita dhe familjarët hedhin akuza se i riu është dhunuar në komisariat, e ndërsa ditën e sotme, Prokuroria e Tiranës ka njoftuar se ka nisur hetimet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë duke konfirmuar se në stomakun e Lear Kurtit është gjetur qese me gjurmë kokaine.
Sipas ekspertizës, Lear Kurti, ndërroi jetë mbrëmjen e 19 tetorit nga arresti kardiak që iu shkaktua si pasojë e overdozës, pasi gëlltiti qesen me kokainë, veprim që mendohet ta ketë bërë nga frika se mos e kapte policia me drogë. Deri në sqarimin e plotë të vdekjes së 32-vjeçarit në duart e policisë, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, i pezulloi nga detyra efektivët që e shoqëruan të riun në komisariat.