Gjermania drejt legalizimit të kanabisit!
Gjermania i hap rrugë legalizimit të blerjes dhe posedimit të sasive të vogla të marihuanës për përdorim rekreativ, si edhe prodhim. Furnizimi e përdorimi i kanabisit pritet të “lejohet përmes licencave të lëshuara e të kontrolluara nga shteti”. Personat mbi 18 vjeç do të lejohen të posedojnë 20 deri në 30 gramë kanabis të tharë, që duhet të shitet në dyqanet dhe farmacitë e autorizuara. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach gjatë një konference për media të zhvilluar sot, deklaroi:
Qeveria federale ra dakord për pikat kyçe sa i përket shpërndarjes së kontrolluar të kanabisit për të rriturit, për përdorim rekreativ. Furnizimi dhe përdorimi i kanabisit pritet të lejohet përmes licencave të lëshuara e të kontrolluara nga shteti.
Gjithashtu, Gjermania do të lejojë prodhimin e kanabisit, por bizneset duhet të marrin leje. Sa iu përket qytetarëve, ata do të lejohen të rrisin tre bimë kanabisi për përdorim vetjak. Sipas propozimit, ndalohen reklamat dhe paketimi i produkteve të kanabisit duhet të jetë “neutral”. Ligji mund të hyjë në fuqi më 2024-ën. Vitin e kaluar, Malta u bë shteti i parë në Europë që zyrtarisht legalizoi kanabisin e kultivimin e tij për përdorim personal, ndonëse të tjera shtete kanë ligje liberale mbi këtë çështje.
Në vendin tonë, qeveria sërish ka hedhur për konsultim publik projektligjin për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, një nga nismat më të debatuara që në lançimin e saj. Mbyllja e konsultimit të parë të projektligjit ishte parashikuar në gusht, por ekzekutivi e ka rikthyer duke marrë më shumë kohë për shqyrtimin e tij.
Drafti parashikon që subjektet që do të pajisen me një licencë duhet të kenë edhe një tjetër të ngjashme në një vend tjetër të OECD-së si dhe zotërues të GMP, praktika e mirë e prodhimit të lëshuara nga EMA ose FDA, Agjencia Amerikane për Ushqim dhe Barnat.
Për këtë qëllim do të krijohet edhe Agjencia Kombëtare e Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit e Përpunimit të kanabisit, strukturë e së cilës do të miratohet nga kryeministri.