Manastirliu: Së shpejti 700 mijë vaksina anti-covid, rastet mund të rriten!
700 mijë vaksina përforcuese ndaj COVID-19 pritet që të vijnë së shpejti në vendin tonë dhe do jenë në dispozicion për moshat mbi 65 vjeç si dhe grupet e riskut.
“Edhe pse shihet që ka një kontroll të pandemisë edhe kjo i dedikohet pikërisht armës më të fuqishme që sot ne kemi, që është vaksina, ne jemi në pritje të mbërritjes së dozave booster, pra dozave përforcuese përsa i përket vaksinimit kundër covid. Tashmë dhe nëpërmjet një amendimi që po bëjmë me kompaninë Pfizer nëpërmjet tyre ne do të kemi mundësi që deri në 700 mijë doza të vaksinave të jenë pikërisht vaksinat përforcuese, të planifikuar për të gjitha ato grupe risku por këtu përfshijmë edhe të rinjtë”, tha Manastirliu.
Drejtori i OBSH per Evropën Hans Kluge, i pranishëm në Forumin për Shëndetin dhe Mirëqenien e të Rinjve, theksoi rëndësinë e vaksinës, pasi me dimrin për shkak edhe të mutacioneve të reja, pritet rritje e rasteve me virus.
“Po hymë në dimrin e tretë të pandemisë. Skenari më i mundshëm që do të ketë një kulm infeksionesh, por nuk do të ketë një kulm të shtrimeve. Elementi i parë është vaksina”, tha drejtori i OVSH për Evropën, Hans Kluge.
Në prag të gripit stinor nga dita e enjte në vendin tonë nis shpërndarja tek qytetarët e mbi 200 mijë dozave të vaksinës anti-grip në të gjithë vendin.“Dy vitet e fundit kemi pasur një influencë gripale të ulët pasi në shumë vende janë zbatuar masa shëndetësore strikte, që përfshijnë distancën, maskën, ajrimin e ambienteve, etj. Tani që këto masa janë ulur, edhe imuniteti i popullisë europiane ndaj gripit është ulur, sepse trupi nuk ka qenë shumë në kontakt me gripin. Prandaj është shumë e rëndësishme, për të pasur dy vaksinat për njerëzit vulnerabël, një dozë booster të dytë për covid-19 dhe për gripin”, u përgjigj. Dr. Kluge.
“Po afron periudha e dimrit. Perpos vaksinës covid dhe nga neser fillon vaksinimi kunder gripit. Për popullatën më të rriskuar”, tha Manastirliu.
Kategoritë që e përfitojnë vaksinën anti-grip falas, janë moshat mbi 60 vjeç, të sëmurët kronikë, gratë shtatzana si dhe personeli shëndetësor.