Zgjedhja e Avokatit të Popullit, Alibeaj propozon dy emra!
Nga opozita, Enkelejd Alibeaj propozoi dy kandidatë për postin e Avokatit të Popullit. Ata janë Ledio Braho e Dorian Gjonmarkaj. Në një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, u shpreh se të dy emrat e propozuar janë parë në katër kritere kryesore që kanë të bëjnë me pastërtinë e figurës, aftësitë profesionale, luajalitetin politik e të mos kenë qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit. Alibeaj theksoi:
Në një përzgjedhje të tillë të pozicionit të Avokatit të Popullit, që ne kemi pasur, nëpërmjet qëndrimit tonë duhet të japim sinjale se si duhet të zgjidhen përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Duhet të vendosim në aspektin politik, disa prej kritereve më të rëndësishme që duhet të përmbushë Avokati i Popullit. Njëri nga kriteret kryesore ka qenë pastërtia e figurës. Në analizën e të gjithë kandidatëve që u paraqitën dhe demonstruan aftësitë e tyre ne këtë vlerësuam, pastërtinë e figurës.
Së dyti është aftësia profesionale. Duhet të jetë monitorues i administratës shtetërore. Duhet të jetë një zë profesional. Së treti është që kandidati të mos ketë lidhje me ish-sigurimin e shtetit dhe me diktaturën komuniste. Së katërti dhe nuk duhet ta fsheh, kriterit të luajalitetit politik.
Po e bëj në mënyrë transparente këtë, sepse tek njerëzit që kemi përzgjedhur, e kemi parë edhe këtë kriter. Në përfundim të këtij procesi, grupi i PD-së arriti në mënyrë unanime që të fokusohet në dy emra, ku i pari është Ledio Braho dhe i dyti është Dorian Gjonmarkaj.
Në prill të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë nisi procedurën për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, pasi mandati 5-vjeçar i Erinda Ballancës mbaronte në maj po të këtij viti. Sipas ligjit, për Avokat Populli mund të kandidojë çdo shqiptar që njeh ligjin, që nuk është i dënuar penalisht dhe nuk është deputet i Kuvendit.
Ata që dëshirojnë të kandidojnë, duhet të paraqesin dokumentet në kryesinë e kuvendit brenda datës 19 prill. Fillimisht, pyeten në seanca dëgjimore nga Komisioni i Ligjeve, që verifikon përmbushjen e kritereve për kandidim.
Në fund të seancave dëgjimore, komisioni miraton një listë me kandidatët dhe vlerësimet përkatëse për ta. Ata që i përmbushin kriteret ligjore, duhet të marrin edhe mbështetjen e të paktën 28 deputetëve për të qenë zyrtarisht kandidat për Avokat Populli. Parlamenti zgjedh fituesin me 84 vota në seancë plenare.