BE, thirrje Prishtinës e Beogradit të bashkërendojnë vizitat zyrtare!
Zyrtarët e Bashkimit Europian i bëjnë thirje Prishtinës e Beogradit, të arrijnë marrëveshje në kuadër të dialogut e po ashtu, të përdorin zyrat ndërlidhëse për të bashkërenduar vizitat zyrtare. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano:
Vizitat zyrtare luajnë rol të rëndësishëm në promovimin e normalizimit të raporteve dhe mirëkuptimit mes shteteve e këto vizita nuk duhet të politizohen.
Ky reagim i Unionit vjen pasi Policia e Serbisë i ndaloi vizitën në Beograd zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi. Një ditë më parë, Bislimi u nis drejt kryeqytetit serb për të marrë pjesë në tryeza diskutimi për çështjet e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas Bislimit, “pranë Beogradit, policia serbe e njoftoi se nuk mund t’i ofrojnë siguri delegacionit të Kosovës” e rrjedhimisht, siguria e tyre ishte në rrezik.
Referuar Stanos, “Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Europian e po ashtu, të angazhohen në ruajtjen e paqes”.
Që të dyja palët duhet të respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura më herët e të zbatojnë detyrimet e tyre, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me vizitat zyrtare.
Pas kthimit në Kosovë, Bislimi deklaroi se “ndërprerja e vizitës në Beograd nga autoritetet serbe, dëshmon se Serbia nuk është e gatshme të punojë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”. Drejt Beogradit, zyrtari i Kosovës udhëtoi në të njëjtën ditë kur Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, si dhe zyrtarët në Serbi, paralajmëruan se do të ketë barrikada në veri, nëse pas 31 tetorit, Kosova konfiskon makinat e targat serbe.
Prishtina zyrtare ka deklaruar se nga data 1 shtator e deri më 31 tetor, qytetarët në veri, të cilët kanë targa të lëshuara nga Serbia do të duhet t’i konvertojnë ato në RKS-Republika e Kosovës. Pas 31 tetorit, Qeveria e Kosovës ka bërë të qartë se makinat me targa të lëshuara nga Serbia, nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e shtetit e madje as të kalojnë kufirin. Për të shmangur tensionet mes dy vendeve, ndërkombëtarët, (Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë shtyrje të zbatimit të vendimit, me 10 muaj.