Kosovë, një deputet i VV-së kërkon të shtyhet vendimi për targat!
Në Kosovë, kryetari i Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Haki Abazi, tha se “në parim, vendimi për riregjistrimin e makinave është i drejtë”, por kërkoi që për këtë proces, afati të shtyhet me dy muaj. Në një konferencë për shtyp në Kuvendin e Kosovës, Abazi, i cili është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, u shpreh se “një shtyrje e afatit do të ishte në favor të interesit kombëtar të Kosovës”.
Më shumë se targat e serbëve, na duhet lëvizja e lirë dhe rikthimi i lëvizjes së qytetarëve tanë drejt Sarajevës. Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme sepse për më shumë se dy dekada, qytetarëve tanë iu është ndaluar të udhëtojnë drejt Bosnjës e Hercegovinës. Rrjedhimisht, propozoj që data për targa të bëhet 31 dhjetori. Në këtë formë ia pamundësojmë kujtdo që ta sabotojë procesin e Berlinit dhe mundësinë që të ngrenë tensione në veriun e rëndësishme të Kosovës.
Qeveria e kryeministrit Albin Kurti, përcaktoi se “nga 1 shtatori e deri më 31 tetor, qytetarët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, mund t’i konvertojnë në targa RKS – Republika e Kosovës”. Një ditë më parë, zyrtarët e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë e Beogradi, paralajmëruan vendosjen e bllokadave në veri, nëse pas 31 tetorit, autoritetet në Kosovë iu konfiskojnë targat dhe makinat e tyre.
Pas 31 tetorit, Qeveria e Kosovës paralajmëroi se “nuk do të lejojë qarkullimin e këtyre makinave brenda territorit të shtetit e as ta kalojnë kufirin”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i kërkuan Kosovës të shtyjë me dhjetë muaj procesin e riregjistrimit, por sipas SHBA-ve, “kabineti Kurti, ende nuk i është përgjigjur kësaj kërkese”.
Tre ditë më parë, Kurti deklaroi se “Kosova merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtarë lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat”.
Përveç se duam të respektohet rendi dhe ligji, gjithashtu jemi të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja dhe siguria. Andaj edhe kur partnerët, aleatët, miqtë tanë ndërkombëtar na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes.
Qeveria e Kosovës vuri në dukje se afati është shtyrë një herë, pasi vendimi për riregjistrim duhej të hynte në fuqi më 1 gusht. Por, serbët bllokuan rrugët në veri, për të kundërshtuar këtë vendim, si dhe atë për lëshimin e dokumenteve për hyrje/dalje. Për këtë, ekzekutivi shtyu me një muaj zbatimin e vendimeve. Më vonë, çështjen e dokumenteve për hyrje/dalje, Kosova dhe Serbia e zgjidhën në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.