Dita e 248-të e luftës në Ukrainë/430 fëmijë të vrarë nga fillimi i pushtimit rus!
Dita e 248-të e luftës në Ukrainë, sulmet ruse nuk kanë të ndalur. Gjatë gjithë natës, bombardimet e trupave të Moskës goditën Nikopolin, qytet i Ukrainës lindore i cili gjendet përballë centralit bërthamor të Zaporizhjas, më i madhi në Europë.
Raportohen dëme të konsiderueshme në rrjetet elektrike, si dhe në linjat e furnizimit me gaz. Në të gjithë vendin e veçanërisht në rajonin e Kievit, për ditët e ardhshme priten kufizime shumë të ndjeshme të energjisë elektrike, nisur nga dëmet e mëdha që shkaktojnë goditjet e vazhdueshme të pushtuesve në infrastrukturën përkatëse.
Një zhvillim i ri regjistrohet në Lugansk ku pas javësh të tëra luftimesh që vazhdojnë, trupat ukrainase kanë marrë kontrollin e autostradës strategjike Svatove-Kreminna. Një ditë më parë, Moska zyrtare e deklaroi “të përfunduar” mobilizimin e pjesshëm që dërgoi në front, mbi 80 mijë qytetarë të thirrur të luftojnë.
Kievi njofton për mbi 430 fëmijë të vrarë e më shumë se 800 të plagosur që nga fillimi i pushtimit rus, më 24 shkurt të këtij viti. Ndërkohë, mbi 7 milion persona, shumica gra, janë zhvendosur brenda Ukrainës deri në muajin gusht. Sipas UNHCR-së, Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, 14.3 milion vetë janë larguar deri tani nga vendi, për shkak të luftës ruse. Tre të katërtat shkuan në katër shtetet fqinje të Bashkimit Europian: Hungari, Poloni, Rumani e Sllovaki.
Në mesazhin e radhës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se “Rusia po e shndërron në zonë të përjashtuar, rajonin Kherson”.
Përpara nisjes së agresionit të Moskës, ky rajon si shumë të tjerë në Ukrainë ishte normal dhe i sigurtë, me të gjitha shërbimet sociale që iu garantoheshin banorëve të tij. Jeta ishte e garantuar. Por, tani, Rusia po përpiqet që Khersonin ta kthejë në një zonë pa qytetërim, pa gjërat më elementare e që janë të disponueshme në pjesën më të madhe të vendeve të botës.