Kulla më e lartë në kryeqytet ndez për herë të parë dritat në formën e hartës së Shqipërisë!
Kulla më e lartë në kryeqytet, DownTone One ka ndezur mbrëmjen e djeshme dritat në formën e hartës së Shqipërisë. Punimet janë drejt fundit, teksa fasada e saj ka nisur që të marrë formën përfundimtare. Kjo fasadë, e ndërtuar nga Kastrati Group, e bën DownTown unike në llojin e saj.
Kulla DownTown One ndodhet në rrugën e Elbasanit dhe është ndërtesa më e lartë në Tiranë, me lartësi 140 metra. Kulla ka 37 kate mbi tokë, 5 kate nëntokë dhe një sipërfaqe totale rreth 77 mijë metra katrorë.
Krahasuar me kullat që janë përfunduar tashmë në Tiranë dhe që konsiderohen të larta, për shembull me kullën Ambassador 3, 22 kate, kulla DownTown One është gati dyfish më e lartë. Zona përreth kullës ka marrë tshmë një tjetër pamje teksa dritat e ndezura i kanë dhënë jetë ndërtesës mbi 140 metra të lartë.
Siç shihet dhe nga fotot e mëposhtme, në fasadat e saj kryesore kulla përmban shtëpi dhe zyra me ballkone, që secila përfaqëson një fshat apo qytet dhe kur shihen nga larg, formojnë një hartë të Shqipërisë. Rëndësia e ballkoneve nuk është vetëm ikonografike, por për banorët e ndërtesës ato ofrojnë pamje spektakolare panoramike të qytetit dhe maleve, ndërsa tarracat e krijuara mundësojnë komunikimin dhe lidhjen mes banorëve për të dhënë ndjesinë e një fshati vertikal.