Mjeku Ilir Alimehmeti i shtohet garës së Primareve në PD për Bashkinë Tiranë!
Mjeku Ilir Alimehmeti sot prezantoi kandidaturën për primaret në PD për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Në daljen për mediat, Alimehmeti u shpreh se vendosi të garojë sepse “kryeqyteti është i sëmurë dhe ka nevojë të shërohet”.
Me të njëjtën ndërgjegje qytetare, me të njëjtat vlera dhe me të njëjtin seriozitet, duke ndjekur hapat e prindërve të mi më parë, vij para jush për t’iu dedikuar plotësisht Tiranës e komunitetit të saj, pasi Tirana jonë është e sëmurë dhe në gjendje krize, miqtë e mi. Dhe, miqtë e mi, Tirana i ka të gjitha mundësitë për t’u shëruar e ringjallur, vlerat dhe bukuria e saj mund të ripërtëriten, por kjo mund të ndodhë vetëm përmes punës, mundit e djersës, ndërgjegjes qytetare dhe kontributit të çdonjërit prej nesh që ka vendosur të ndërtojë jetën në Tiranë, përfshirë këtu edhe mua.
Sot, në shërbim të komunitetit, unë kandidoj në zgjedhjet primare për Bashkinë e Tiranës pranë Partisë Demokratike të Shqipërisë, me besimin e plotë se procesi i primareve do të jetë plotësisht transparent, i besueshëm e shpresëndjellës.
Pranë Partisë Demokratike të Shqipërisë gjej njerëz profesionistë dhe personalitete, që ndajnë të njëjtat shqetësime, kanë të njëjtën ndërgjegje qytetare, kanë të njëjtat vlera dhe kanë të njëjtin besim se vetëm puna, mundi e djersa e pashtershme mundet ta shërojë Tiranën tonë dhe të çojë përpara zhvillimin e qëndrueshëm e të përgjegjshëm të Tiranës sonë.
Ky ekip nuk është hermetikisht i mbyllur. Ai është një ekip i hapur dhe do të pasurohet me figura e profesionistë të tjerë me vlera të pamohueshme si nga forcat aleate, si nga shoqëria civile, pasi Tirana është e jona, është e të gjithëve ne!
Në këto primare, përballë mjekut Alimehmeti janë Belind Këlliçi e Gert Bogdani, dy emra që deri tani kanë zyrtarizuar kandidaturat. Ndërkohë, dje dështuan negociatat e grupit të Sali Berishës me të Enkelejd Alibeajt dhe Partia Demokratike shkon e ndarë në lokalet e vitit të ardhshëm. Po ashtu, ditë më parë, kryetari demokrat Berisha e kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet lokale.