Këshilli i Sigurimit refuzon Rusinë për hetimin e armëve biologjike në Ukrainë!

vovalbania November 03, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Këshilli i Sigurimit refuzon Rusinë për hetimin e armëve biologjike në Ukrainë!

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara hodhi poshtë përpjekjet e Rusisë që të krijohet një komision për të hetuar pretendimet e saj të pabaza se Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës “po kryejnë aktivitete biologjike ushtarake”, që bien ndesh me konventën e cila ndalon përdorimin e armëve biologjike.

Dokumenti i Moskës u mbështet vetëm nga vota e Kinës. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca votuan kundër kërkesës ruse ndërsa dhjetë vendet e tjera të Këshillit, abstenuan. Rezoluta nuk u miratua pasi nuk arriti të siguronte minimumin e kërkuar të mbështetjes prej nëntë votash.

Votimi me dy vota pro, tre kundër dhe abstenimi i dhjetë vendeve të tjera, pasqyron kundërshtimin dhe skepticizmin e vazhdueshëm të Këshillit të Sigurimit lidhur me veprimet e Rusisë që nga fillimi i agresionit kundër Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti.

Këshilli i Sigurimit ka qenë i paralizuar nga ndërmarrja e çdo veprimi kundër ofensivës ushtarake të Kremlinit për shkak të së drejtës së vetos nga Rusia. Javën e kaluar, Moska shpërndau projekt-rezolutën dhe një dokument me 310 faqe tek anëtarët e Këshillit. Në tekst pretendohej se në laboratorët ukrainas po zhvilloheshin armë biologjike, me mbështetjen e Pentagonit.

Pretendimi fillestar i Rusisë për laboratorë sekretë amerikanë të luftës biologjike në Ukrainë në mars, u kundërshtua nga shkencëtarë të pavarur, udhëheqës ukrainas dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë e të Pentagonit.

E ndërsa lufta vazhdon, të paktën rusët bënë një “prapakthehu” sa i përket marrëveshjes me Kievin për eksportin e drithërave, duke iu rikthyer akordit dhe lejuan kalimin e anijeve me grurë ukrainas.

Ministria e Infrastrukturës e Ukrainës njoftoi se sot, shtatë anije që transportonin produkte bujqësore u larguan nga portet ukrainase të Detit të Zi. Mjetet lundruese janë të ngarkuara me 290 mijë tonë produkte ushqimore e po iu drejtohen vendeve europiane dhe aziatike. Këto eksporte konsiderohen thelbësore. Të dy vendet, si Ukraina ashtu edhe Rusia janë eksportues kryesorë në botë për grurin, elbin, vajin e lulediellit e të tjera ushqime që dërgohen në Afrikë, Lindje të Mesme dhe pjesë të Azisë ku shumë njerëz përballen me urinë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE