Procesi i Berlinit, sot Shqipëria nënshkruan tre marrëveshje për lëvizjen, diplomat, kualifikimet!

vovalbania November 03, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Procesi i Berlinit, sot Shqipëria nënshkruan tre marrëveshje për lëvizjen, diplomat, kualifikimet!

Në kuadër të Procesit të Berlinit, sot kancelari gjerman, Olaf Scholz, pret liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Europian. Gjatë ditës, tre marrëveshje do të nëshkruhen nga përfaqësuesit e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut e Serbisë.

Ato do të jenë për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare e të kualifikimeve profesionale.

Shqipërinë e përfaqëson kryeministri Rama, ndërsa edhe Kosova e Serbia përfaqësohen me shefat e qeverive, Albin Kurti e Ana Bërnabiç. Një zyrtar gjerman i tha Reuters-it se “këto janë lëvizje drejt integrimit të mëtejshëm e stabilitetit të rajonit”, ku edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë e luftërave ndëretnike të viteve ‘90, tensionet nuk kanë përfunduar.

Qëllimi është që Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria t’i afrohen anëtarësimit në Bashkimin Europian, për shkak të frikës nga ndikimet gjithnjë e më të shtuara të Rusisë e Kinës në rajon. Pas samitit, kancelari gjerman do të mbajë konferencë për media.

A do të flitet në samit për propozimin franko-gjerman?

Para fillimit të samitit, Albin Kurti, u takua me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, si edhe me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak.

Zyra e Kurtit njoftoi se biseduan për marrëdhëniet Prishtinë-Beograd dhe elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve, me njohjen reciproke në qendër. Po ashtu, u fol mbi vendimin e fundit të qeverisë për targat.

Në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale, kryeministri Kurti tha se nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend. Ndërkaq, ai bëri thirrje që dëmtimi dhe djegia e veturave me targa RKS në veri të vendit, të dënohet nga të gjithë.

Procesi i Berlinit nisi në vitin 2014 me nismën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel. Ndër qëllimet kryesore të këtij procesi janë: përmirësimi i bashkëpunimit rajonal e integrimi europian i rajonit të Ballkanit Perëndimor. Procesi fokusohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Të tjera fusha të veprimit lidhen me zgjidhjen e çështjeve të brendshme e dypalëshe, si dhe pajtimin ndërmjet shoqërive të rajonit. Ky proces përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën. Shtetet pjesëmarrëse të BE-së janë: Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia e Italia.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65253 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE