Microsoft vijon me mbështetjen e saj teknologjike pa pagesë për Ukrainën!
Së fundmi, Microsoft ka rënë dakord të vazhdojë mbështetjen e saj teknologjike pa pagesë për Ukrainën deri në fund të vitit të ardhshëm. Kompania tha se do të ofrojë ndihmë teknologjike shtesë prej gati 100 milionë dollarësh, duke e çuar mbështetjen e saj totale për Ukrainën në më shumë se 400 milionë dollarë, që nga fillimi i krizës në shkurt.
Presidenti i Microsoft Corp, Brad Smith në një postim në blog tha se:
Mbështetja do të sigurojë që agjencitë qeveritare, infrastruktura kritike dhe sektorë të tjerë në Ukrainë mund të vazhdojnë të drejtojnë infrastrukturën e tyre digjitale dhe t’u shërbejnë qytetarëve përmes Microsoft Cloud.
Ndërsa pushtimi rus i vendit zvarritet, Ukraina po mbështetet në më shumë mbështetje teknologjike perëndimore. Një numër kompanish në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut janë mobilizuar për të ofruar ndihmë për autoritetet dhe njerëzit ukrainas, duke përfshirë Starlink të Elon Musk.
Më herët në qershor, Microsoft tha gjithashtu se po bënte shkurtime të konsiderueshme në biznesin e saj në Rusi, duke iu bashkuar listës së kompanive që kishin reduktuar ekspozimin e tyre ose ishin tërhequr nga vendi në përgjigje të pushtimit. Ndërkaq, një zyrtar i lartë i qeverisë ruse foli mbi mundësinë që Moska të rrëzojë satelitët komercialë perëndimorë që sikurse tha, po përdoreshin për të ndihmuar përpjekjet luftarake të Ukrainës.
Paralajmërimi vjen ndërsa Rusia po vazhdon fushatën e saj të bombardimit të infrastrukturës jetike ukrainase. Ky kërcënim, nëse bëhet realitet, në mënyrë të pashmangshme do të nxiste frikën për përshkallëzim të konfliktit dhe rrezikun e një përplasjeje të drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe Perëndimit.