Si u bë operacioni i spastrimit nga ushtarët rusë në qytetin Bucha
Personi i parë mbërriti në orën 7:27 të mëngjesit. Ushtarët rusë i mbuluan kokën dhe e shtynë drejt një godine zyrash pa emër.
Dy minuta më vonë, një zë i mbytur lutej përmes qetësisë së mëngjesit. Përgjigja e pamëshirshme ishte: “FOL!!! FOL!!!”.
Ishte një mëngjes gri dhe i ftohtë, data 4 mars, në Bucha të Ukrainës. Deri në mbrëmje, të paktën nëntë persona do të përshkonin rrugëtimin e vdekjes drejt godinës nr 144 në rrugën Yablunska, objekt të cilin rusët e kishin shndërruar në një tjetër epiqendër të dhunës që do të trondiste mbarë botën.
Ajo çfarë ndodhi atë ditë në Bucha, quhej nga ushtarët rusë “zachitska” gjatë telefonatave të regjistruara – fjala do të thotë spastrim. Ushtarët rusë kapnin persona emrat e të cilëve gjendeshin në lista të përgatitura nga shërbimet e tyre të zbulimit, si dhe shkonin derë më derë për të identifikuar dhe vrarë personat që konsideroheshin me rrezikshmëri. Agjensia e lajmeve Associated Press dhe emisioni “Frontline” i rrjetit PBS siguruan pamje të kamerave të survejimit në Bucha, ku shfaqet për herë të parë se si u bënë operacionet e spastrimit në Ukrainë.
Vetëm përgjatë rrugës Yablunska, policia ukrainase gjeti rreth 40 kufoma. Prokurorët kanë arritur të identifikojnë deri më tani 12 prej tyre. Gazetarët e AP-së dokumentuan një trup të 13-të në shkallët e njërës prej godinave të kompleksit, me filmime dhe fotografi të marra më 3 prill.
Në kuadrin e një investigimi të përbashkët, agjensia e lajmeve Associated Press dhe emisioni “Frontline” shqyrtuan qindra orë filmime nga kamerat e survejimit në Bucha dhe verifikuan regjistrimet e telefonatave nga ushtarët rusë në bashkëpunim me Qendrën Dossier, një organizatë investigative me seli në Londër. Gjithashtu, kompania nga Nju Jorku SITU Research, rindërtoi rrjedhën e ngjarjeve duke përdorur një model tre dimensional të qytetit Bucha.
—
Në 3 mars, një autokolonë ruse që dukej se nuk kishte fund arriti në Bucha përgjatë shinave të trenit. U dha urdhëri për evakuim.
Në kaosin e krijuar gjatë përparimit të forcave ruse, tetë vullnetarë ukrainas u veçuan nga të tjerët. Ata u fshehën në një shtëpi me tulla aty pranë dhe dëgjonin në heshtje kërcitjet e armëve dhe lëvizjen e tankeve ruse.
Rreth orës 10 të mëngjesit të ditës tjetër, vullnetari Andrii Dvornikov i telefonoi gruas së tij, Yulia Trubas, dhe i tha që të fshinte të gjitha gjurmët e komunikimit me njëri-tjetrin.
Pak më vonë, ushtarët rusë thyen derën e shtëpisë dhe morën nëntë persona me vete, duke i akuzuar se po ndihmonin ushtrinë e Ukrainës. Dy ushtarë rusë i drejtuan burrat nën kërcënimin e armëve në rrugën e lagësht dhe të akullt për në adresën 144 Yablunska, duke i sharë ndërsa ata lëviznin me këmbët e mbathura vetëm me çorape.
Ushtarët i detyruan të gjunjëzoheshin. Më pas, shoferi i taksisë Ivan Skyba pa se si ngritën personin që qëndronte pranë tij dhe e qëlluan me plumb në kokë.
Gjatë orëve në vazhdim, ushtarët rusë dërguan gjithnjë e më shumë persona drejt godinës në rrugën Yablunska, përfshirë 20-vjeçarin Dmytro Chaplyhin, një punonjës dyqani me fytyrë fëminore, të cilin të gjithë e quanin Dima. Ndërsa ushtarët e morën Dimën, gjyshja e tij, Natalia Vlasenko, ra në gjunjë dhe iu lut më kot që të mos e preknin.
“Gjyshe, mos u shqetëso!”, thirri Dima, ndërsa u nis me ushtarët drejt godinës 144 në rrugën Yablunska. “Do të kthehem!”
Kjo ishte hera e fundit që ajo e pa të gjallë.
Kur rusët morën Iryna Volynetsën në rrugën Yablunska, ajo njohu një nga burrat e rreshtuar në rrugë si shokun e saj të vjetër të shkollës, Andrii Verbovyin. Ai qëndronte i rrëzuar mënjanë dhe i rridhte gjak. Ajo vuri se ai po dridhej dhe u panë sy më sy.
E tronditur, zonja Volynets nuk e vuri re menjëherë se djali i saj, Slava, ishte gjithashtu i gjunjëzuar në po atë rrjesht. Më në fund, ajo e njohu nga xhaketa dhe pantallonat. Ai kishte marrë një goditje në brinjë dhe po merrte frymë rëndë.
Ajo ishte në panik dhe donte me dëshpërim të negocionte për lirimin e të birit. Rusët sollën një djalë të ri për ta parë më nga afër.
“A është ky?” e pyetën ata.
“Jo, jo ky”, u përgjigj i riu.
Sllava jetoi. Rusët lejuan shumicën e civilëve të iknin atë ditë, por jo vullnetarët.
Skyba u godit aq fort në fytyrë, saqë i ranë dhëmbët. Vetullat e tij u çanë dhe gjaku iu derdh përmbi fytyrë. Rusët ia lidhën duart pas shpine, i vunë një kovë mbi kokë dhe e gjunjëzuan pas një muri. E goditën në kokë derisa humbi ndjenjat.
“Çfarë duhet të bëjmë me këta?”, Skyba dëgjoi një rus të thotë. “Vritini”, u përgjigj një tjetër. “Por largojini së pari që të mos dergjen këtu”.
Ushtarët rusë i çuan vullnetarët në një oborr të vogël aty pranë, ku gjendej tashmë një trup i pajetë. Në vazhdim, dy ushtarë filluan të qëllonin.
Skyba ndjeu një plumb që e shpoi anash dhe u përplas në tokë. Ai bëri sikur kishte vdekur, ndërsa kishte frikë se rusët do të vinin re avullin nga frymëmarrja e tij.
“Po prisja errësirën”, tregon ai. “E tmerrshme … nuk mund ta shpjegoj … Thjesht e tmerrshme”.
Pasi heshti, Skyba liroi kyçet e duarve nga shiriti që i lidhte, u zvarrit përmes kufomave të shokëve të tij dhe mori çizmet nga trupi i të vetmit prej tyre që i mbante ende veshur. Ai vrapoi drejt një shtëpie ngjitur.
Pastaj dëgjoi zëra. Ishin rusët.
“A është dikush këtu në shtëpi?”, thirri njëri prej tyre. Skyba bëri sikur ishte i zoti i shtëpisë.
Duke besuar se ai ishte një civil i plagosur, ushtarët e kthyen atë sërish tek godina në 144 Yablunska, këtë herë për trajtim mjekësor, tha Skyba. E çuan në bodrum, ku mbaheshin më shumë se 100 persona.
Për tre ditët në vazhdim, Skyba u mbajt atje, pa i treguar askujt për plagën e tij nga plumbi. I vetmi tualet që ekzistonte ishte i prishur. Fëmijët qanin. Të rriturit luteshin.
Më 7 mars, Skyba dhe të tjerët u lejuan të largoheshin nga bodrumi. Të gjithë të tjerët që ishin kapur me të, përveç atij që u dha informacion rusëve, ishin të vdekur. Ai mori syzet e tij, të cilat i kishin rënë pranë një trupi dhe doli jashtë.
Ushtarët rusë u treguan familjeve të tyre në telefonata për masakrën. Një ushtar i quajtur Maksym i tha gruas së tij më 21 mars: “Mendoj se po çmendem. Unë tashmë kam vrarë kaq shumë civilë”.
Tashmë familjet e qytetit Bucha presin një drejtësi që mund të vijë ose jo. Gruaja e zotit Dvornikov, Truba, së bashku me Skyban dhe të afërmit e dy personave të tjerë të vrarë në rrugën Yablunska, kanë ngritur një padi kundër Rusisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“E gjithë bota e civilizuar duhet të pranojë se ishin vrasje”, tha ajo. “Dua të vërtetoj se nuk janë gënjeshtra dhe se me të vërtetë kanë ndodhur”.