Katar 2022, apeli i FIFA-s: Fokusi te futbolli, mos shisni moral!
Presidenti i FIFA-s, Federatës Botërore të Futbollit, Gianni Infantino dhe Sekretarja e Përgjithshme, Fatma Samoura i dërguan letër skuadrave të futbollit që po përgatiten për Kupën e Botës në Katar, duke iu kërkuar të fokusohen te ndeshjet e të mos japin leksione për moralin. Në këtë letër drejtuar 32 federatave të futbollit, dy zyrtarët e lartë të FIFA-s bëjnë thirrje që futbolli të “vendoset në qendër të skenës”.
Ju lutemi që tani të fokusoheni te futbolli. Mos lejoni që futbolli të tërhiqet në një betejë ideologjike apo politike aktuale. Ne jemi të vetëdijshëm për faktin se futbolli nuk jeton në vakum, si dhe për praninë e sfidave të shumta e të vështirësive të natyrës politike në të gjithë botën.
Në FIFA, ne përpiqemi të respektojmë të gjitha opinionet dhe besimet, pa i dhënë leksione morale pjesës tjetër të botës. Një nga pikat e forta të botës është me të vërtetë diversiteti i saj e nëse përfshirja nënkupton diçka, ajo do të thotë respekt për këtë diversitet. Asnjë popull, kulturë apo komb nuk është më i mirë se një tjetër. Ky parim është themeli i respektit reciprok, si dhe i mosdiskriminimit. Po ashtu, kjo është një nga vlerat themelore të futbollit.
Infantino e Samoura përsëritën premtimet e vazhdueshme të organizatorëve, përfshirë të emirit të Katarit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork në muajin shtator, se të gjithë vizitorët do të jenë të mirëpritur “pavarësisht origjinës, fesë, gjinisë, orientimit seksual apo kombësisë”.
Për herë të parë në histori, Kupa e Botës do të luhet në Lindjen e Mesme. Tridhjetë e dy ekipe kombëtare nga e gjithë bota do të garojnë në një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë nga data 20 nëntor deri më 18 dhjetor të këtij viti. Gjatë kampionatit, në Katar priten rreth 1.2 milion vizitorë të huaj.