Lufta në Ukrainë ndikon rënien e rritjes ekonomike të Kosovës/FMN: Rritja 2-3% për vitin 2022!

vovalbania November 05, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Lufta në Ukrainë ndikon rënien e rritjes ekonomike të Kosovës/FMN: Rritja 2-3% për vitin 2022!

Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN për këtë vit, rritja ekonomike e Kosovës pritet të jetë 2-3%. Në përmbyllje të vizitës në Prishtinë, kreu i misionit të FMN-së, Gabriel Di Bella, tha se “rënia e rritjes ekonomike të Kosovës është pasojë e luftës në Ukrainë që ka shkaktuar ngritje të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë”.

Për të qenë të matur, parashikimi jonë është dy deri në tre për qind rritje për gjithë vitin në tërësi. Pra, pas 11 për qind rritje vitin e kaluar që ka qenë e jashtëzakonshme duke e vënë Kosovën në nivele të të ardhurave të krahasueshme me ato të para pandemisë, këtë vit Kosova nuk ka mundur të izolohet nga trendet në Europë.

Këtë vit, Kosova po përballet me shkallë të lartë të inflacionit, që sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në muajin shtator ka arritur në 12.7 për qind. Di Bella theksoi se sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, çmimet nuk pritet të bien deri në vitin e ardhshëm.

Skenari ynë bazë, ajo që ne mendojmë se do të ndodhë është që vitin e ardhshëm do të ulen çmimet e mallrave e kur kjo të ndodhë, Kosova mund të përfitojë ulje të inflacionit e ringjallje të aktivitetit ekonomik. Presim që kjo të ndikojë edhe në realizimin më të lartë të investimeve kapitale, çka do t’i jepte dinamikë rritjes ekonomike, vitin e ardhshëm.

Ministri i Financave të Kosovës, Hekuran Murati, tha se ulja e inflacionit vitin e ardhshëm do të mundësojë që vendi të ketë rritje ekonomike prej rreth 5.5 për qind.

Me shpresën që do të kemi një stabilizim në këtë aspekt dhe një rënie graduale të këtyre çmimeve, një kthim drejt normalitetit dhe shto këtu edhe faktin që kemi një politikë fiskale zgjeruese edhe për vitin e ardhshëm, konsiderojmë që trendi rritës ekonomik do të vazhdojë. Shpresojmë që do të jetë rritje më e lartë se këtë vit, ne kemi projektuar që të jetë rreth 5.5 për qind.

Por, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2023 pritet të jetë tre deri katër për qind. Di Bella theksoi se autoritetet në Kosovë duhet të shtojnë përpjekjet për të zbutur efektet e krizës energjetike që pritet të krijojë vështirësi gjatë sezonit të dimrit. Kriza energjetike botërore, pamundësia që Kosova të përmbushë nevojat e veta me prodhim të brendshëm dhe çmimet e larta të importit, kanë ngritur shqetësime për një dimër sfidues në vendin ku energjia elektrike është burim kryesor për ngrohje.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65779 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE