Musk justifikon shkurtimet masive: Twitter ka humbur miliona dollarë!
Pronari i ri i Twitter-it, Elon Musk, mbron vendimin për shkarkimin e gjysmës së punonjësve të kompanisë, duke thënë se “nuk kishte zgjidhje tjetër”, sepse Twitter ka qenë duke humbur më shumë se 4 milion dollarë në ditë. Por, thekson se “është absolutisht i pandryshuar përkushtimi i Twitter-it për modernizimin e përmbajtjes”.
Sipas të dhënave që u janë dorëzuar autoriteteve amerikane, vetëm në Kaliforni u larguan nga puna 983 persona, 784 në San Françisko, 106 në San Hoze e 93 në Los Anxhelos.
Pas një kapitulli të vështirë që nisi në prill dhe u finalizua muajin e kaluar, me njeriun më të pasur në botë, i cili njëherë ndërroi mendje për blerjen, me pretendimin se llogaritë e rreme ishin më shumë nga sa deklaroheshin, më në fund Musk u bind dhe derdhi 44 miliardë dollarë për blerjen. Finalizimi i këtij operacioni shmangu gjykatën, por hapi telashe të reja për punonjësit.
Miliarderi bëri të ditur se të gjithëve atyre që kanë humbur vendet e punës, u janë ofruar pagesa shtesë tremujore çka sipas tij është 50 për qind më shumë nga sa parashikohet me ligj”.
Pas raportimit të këtyre zhvillimeve, janë rritur shqetësimet për të ardhmen e personave përgjegjës për të menaxhuar informacionet e dëmshme. Grupet për sigurinë online sugjerojnë se Elon Musk mund të zbusë politikat, që Twitter të jetë më pak efektiv në luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit. Po ashtu, mund të hiqen ndalesat e përhershme ndaj disa figurave, si ish-presidenti amerikan, Donald Trump.
New York Times u njoh me një kopje të email-it dërguar punonjësve. Mesazhi i udhëzonte të shkonin në shtëpi e të mos ktheheshin në zyrë. Email-i i shkarkimit nuk përmend numrin total të pushimeve nga puna.
Në përpjekje për ta vendosur Twitter-in në rrugë të shëndetshme, ne do të kalojmë procesin e vështirë të tkurrjes së fuqisë sonë punëtore globale. Ne e pranojmë se kjo do të ndikojë në një numër njerëzish që kanë dhënë kontribute të vlefshme në Twitter, por fatkeqësisht ky veprim është i nevojshëm për të siguruar suksesin e kompanisë në të ardhmen.
Ky vendim për të pushuar gjysmën e punonjësve, së bashku me drejtuesit ishte një nga zgjedhjet e shumta që përfundoi në shënjestrën e më kritikëve, si ajo e rritjes në 8 dollarë në muaj të çmimit të Twitter blue, që ka të bëjë me një sërë shërbimesh premium të platformës.