Organizatat humanitare kundër retorikës së Londrës për “pushtimin” e Anglisë nga emigrantët!

vovalbania November 05, 2022 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Organizatat humanitare kundër retorikës së Londrës për “pushtimin” e Anglisë nga emigrantët!

Shënjestrimi nga Londra i emigrantëve shqiptarë në Britani si të lidhur më krimin, për këtë çështje, sekretari britanik i Punëve të Jashtme, James Cleverly bisedoi me kryeministrin Rama, më herët gjatë javës. Lajmi rreth bisedës bëhet i ditur nga “The Independent”. Në dallim nga deklaratat e forta kundër emigrantëve të sekretares britanike të Punëve të Brendshme, Suella Braverman, Downing Street u shpreh se emigrantët “meritojnë të trajtohen me dhembshuri e respekt”.

Ndërkohë, sekretares Braverman i janë kundërvënë edhe organizatat humanitare, duke e akuzuar se përcolli retorikën e ekstremit të djathtë, kur foli për “pushtim” të Anglisë nga emigrantët. Në një letër dërguar kryeministrit të ri britanik, Rishi Sunak, 8 prej tyre japin alarmin se “njerëzit që tentojnë udhëtimin e rrezikshëm përtej Kanalit, për të kërkuar azil në Britani, po përjetojnë abuzime rutinë të të drejtave të njeriut në Francën veriore”.

Ndërsa numri rekord i njerëzve, përfshirë shumë shqiptarë që kalojnë Kanalin me varka të vogla, dominon titujt kryesorë, “realiteti i ashpër në terren” po shpërfillet. Calais e Grande-Synthe mbeten vende “mizore” e të rrezikshme për mijëra të zhvendosur që jetojnë atje. Policia franceze vazhdon të krijojë mjedis armiqësor në rajon, duke kryer dëbime në kampe të improvizuara çdo 36 deri në 48 orë. Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i parave të taksapaguesve britanikë që financojnë policinë kufitare franceze.

Gjatë këtyre dëbimeve, ato pak sende personale që kanë në çanta, të tilla si karta identiteti, telefona celularë, ilaçe e rroba, shpesh iu asgjësohen. Me të drejtën për strehim, abuzohet në mënyrë të përsëritur. Shteti refuzon të sigurojë çdo akses për furnizim me ujë në një distancë të arsyeshme nga vendet e qëndrimit dhe organizatat nën ombrellën tonë kërcënohen me gjoba për shpërndarjen e vakteve të ngrohta.

Qeveria britanike ka dhënë para’ për fortifikimin e kufirit përmes dronëve, gardheve e telave me gjemba. Britania ra dakord t’i dorëzojë Francës miliona paund, për të kontrolluar bregdetin verior. Ndërkohë, Downing Street sinjalizoi synimin jo vetëm për të ecur përpara me planin e dështuar të qeverisë së ish-kryeministrit Boris Johnson për të dërguar azilkërkues në Ruandë (i përshkruar nga zonja Braverman si “ëndrra” e saj), por edhe për ta shtrirë në vende të tjera.

Skema pati efekte shkatërruese në shëndetin mendor të të zhvendosurve në Francën veriore. Familjet druheshin se rrezikonin të fluturonin në Ruandë para se t’iu shqyrtohej kërkesa për azil. Po ashtu kishin frikë se do të qëndronin në Ruandë edhe nëse kërkesa iu pranohej. Klima ishte shumë e tensionuar dhe e dëshpëruar e teksa përballeshin me paqartësi, dy persona i dhanë fund jetës mes konfuzionit e dezinformatave.

Në të kundërt, “suksesi i admirueshëm” i skemës së vizave për refugjatët ukrainas, shumë prej të cilëve u strehuan shkurtimisht në Calais, tregon se Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë në gjendje të bashkëpunojnë për t’iu siguruar njerëzve një kalim të sigurt.

Por, qeveria britanike po dështon të përmbushë këtë përgjegjësi ndaj njerëzve të kombësive të tjera që trajtohen me shpërfillje çnjerëzore, thuajse në çdo fazë të udhëtimit të tyre, edhe pse kanë sukses rreth 80% e të gjitha kërkesave për azil në Mbretërinë e Bashkuar.

Në letrën drejtuar Sunakut, organizatat shtojnë:

Për aq kohë që njerëzit të cilët kërkojnë siguri, ribashkim me familjet e një shtëpi të re injorohen dhe ngacmohen nga autoritetet, ne do të jemi këtu, në solidaritet.

Një zëdhënës i qeverisë britanike deklaroi:

Në mbarë botën, vendet kanë përgjegjësi të përbashkët morale për të trajtuar emigracionin e paligjshëm e po punojmë me francezët në terren për të ndaluar njerëzit që ndërmarrin udhëtime të rrezikshme përtej Kanalit.

Së bashku, kemi ndaluar mbi 28 mijë kalime të paligjshme që nga fillimi i vitit, gati dyfishi i numrit krahasuar me 2021-shin. Përparësia jonë është “të thyejmë” modelin e biznesit të trafikantëve të qenieve njerëzore, të cilët shfrytëzojnë njerëzit në nevojë e që po rrezikojnë jetën përmes këtyre udhëtimeve të rrezikshme e të paligjshme.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65810 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE