Vendimi, serbët ikin nga institucionet e Kosovës/Largime edhe nga policia e gjyqësori!
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë sapo vendosi të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit. Pas vendimit të marrë këtë të shtunë, në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan, menjëherë dhanë dorëheqje pjesëtarë serbë të policisë, gjyqësorit dhe prokurorisë, po në veriun ku janë shumicë. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç:
Kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria e nga të katër komunat në veri të Kosovës. Gjithashtu u vendos të largohen serbët nga gjyqësori e policia, si dhe personeli administrativ në katër komunat në veri.
Vetë Rakiç dha dorëheqje nga “posti i ministrit në Qeverinë e Kosovës”. Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Igor Simiç, u shpreh se dorëzon dorëheqjen, në emër të 10 deputetëve në këtë institucion. Komunat në veri të banuara me shumicë serbe janë Mitrovica e Veriut, Leposaviçi, Zubin Potoku e Zveçani.
Rakiç vuri në dukje se vendimet për largim nga institucionet do të zbatohen deri në momentin kur “Prishtina të fillojë të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel”.
Kjo do të thotë, konkretisht, derisa të tërheqin vendimet e njëanshme e jo të ligjshme për riregjistrimin e targave të makinave në RKS, derisa të formojnë Asociacionin e Komunave Serbe në përputhje me marrëveshjen e parë e të gjitha marrëveshjet e tjera, të lidhura me këtë çështje në dialog.
Kujtojmë se Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin në vitin 2013 e më pas më 2015-ën, ranë dakord mbi parimet për themelimin e tij. Po në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës doli në përfundimin se “ky akord, nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën”. Më tej, Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Prishtina zyrtare u deklarua kundër një asociacioni njëetnik.