Liderët e opozitës së Kosovës i kërkojnë Kurtit koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë

vovalbania November 08, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kosova tërhiqet nga afati për targat RKS, Kurti prezanton planin e ri që nis nga 1 nëntori

Liderët opozitarë në Kosovë i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti, që të ketë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë. Të tre liderët e partive opozitare i shkuan në takim Kurtit për të diskutuar për “zhvillimet e fundit në vend, e sidomos në veri të vendit”.

Takimi është thirrur tri ditë pasi përfaqësuesit serbë u tërhoqën nga institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet dhe pas deklaratave të vetë Kurtit se janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë për destabilizmin e situatës në veri të vendit.

Në takim morën pjesë Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kreu i PDK-së, Krasniqi, pas takimit, tha se Kosovës “në këto momente i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë sovranitetin e vendit”.

Ndërsa, lideri i LDK-së, Abdixhiku, theksoi se në takim me Kurtin nuk kanë parë ndonjë plan konkret e “as gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë”.

Ai tha se meqë gjendja e sigurisë në vend “është shumë e rëndë”, është jetik koordinimi me partnerët, me theks të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa, Haradinaj lëshoi takimin dhe shkroi se u detyrua ta bënte këtë për shkak që, siç u shpreh, “Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse i ka prishur raportet me Amerikën”.

“Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, t’i prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kurtit që të shtyjë vendimin për targat.

Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Largimet e serbëve nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi të zbatojë planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.

Dje, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se “aktualisht situata në veri është e qetë” dhe se janë në vazhdimësi në koordim me KFOR-in dhe EULEX-in.

Ai tha se deri më 7 nëntor, Kosova ka pranuar dorëheqjen e 461 zyrtarëve serbë të rendit, 107 policëve kufitarë dhe dhjetë hetuesve policorë.

Dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës

Edhe gjyqtarët serbë dhe punëtorët administrativë në Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje. Në gjykatën në këtë qytet ishin gjithsej 19 gjyqtarë serbë.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Kurti u bëri thirrje serbëve në veri të vendit që të mos japin dorëheqje, ngase siç tha ai, “bojkotet nuk janë zgjidhje, institucionet nuk kanë alternativë”.

Për dallim nga Kosova, Serbia e ka mbështetur vendimin e Listës Serbe.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65818 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE