Sondazhi i TAR/A janë emigrantët shqiptarë në Britani rrezik për vendin siç deklaron qeveria?!
Ditët e fundit emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe janë kthyer në lajmin kryesor të mediave atje, për shkak të debatit të krijuar nga deklarata skandaloze të disa zyrtarëve që i kanë etiketuar si kriminelë. Polemika të shumta u krijuan pas reagimit të kryeministrit Edi Rama ndaj deklaratave të ministres së Brendshme britanike lidhur me përfshirjen e emigrantëve shqiptarë në veprimtari kriminale.
Pak ditë më parë, sekretarja e brendshme e Britanisë së Madhe, Suella Braveman ngriti alarmin për emigrimin e shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke i etiketuar si kriminelë. Fill pas kësaj deklarate, prestigjiozja britanike DailyMail, zhvilloi një intervistë me disa shqiptarë në lagjen e tyre në Britani.
Shqiptarët përbëjnë rreth një të tretën e pothuajse 40 mijë njerëzve që kanë mbërritur me varka të vogla deri më tani këtë vit, referuar shifrave të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Zyrtarët e lartë të policisë dhe emigracionit në të dy anët e Kanalit janë të shqetësuar nga rritja e rolit të ndërmjetësve shqiptarë në lehtësimin e kalimeve.
Lidhur me këtë temë ne ngritëm një sondazh duke bërë pyetjen: A janë emigrantët shqiptarë në Britani rrezik për vendin siç deklaron qeveria? Përgjigjet ishin këto: 61% janë përgjigjur me ‘po’, 22% janë shprehur se nuk janë rrezik dhe 17% kanë zgjedhur alternativën ‘nuk e di’.
Ndërkohë sondazhi i ri i Top Albania Radio-s e ka kthyer vëmendjen tek protesta e pedagogëve. Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë njoftoi vendimin për t’i dhënë fund bojkotit të mësimit, ndërsa mes 9 kërkesave është edhe rritja e pagave. A duhen rishikuar kërkesat e tyre? Votoni këtu për të dhënë mendimin tuaj.