“Fundi i botës” ndarja nga i dashuri, por imagjinoni të mos flisni më as me miken tuaj të ngushtë…/Ja si t’ja dilni mbanë në të tilla situata!
E dimë tanimë që çdo vajzë pasi ndahet nga i dashuri vendi i parë ku shkon të ‘rrëfehet’ dhe të qajë hallet është pikërisht tek shoqja e saj e ngushtë. Ndërkaq, imagjino të ndaheni edhe nga shoqja e ngushtë dhe të mos flisni më me njëra-tjetrën. Sigurisht, dhimbja shtohet. Por, asnjëherë nuk duhet të demoralizoheni! Mos u përpiqni t’i mbyllni ju gjërat. Të mbyllësh një histori është emocionalisht e rëndë. Diçka e tillë duhet të vijë në mënyrë natyrale. Të dyja duhet të jeni të qeta që të mos arrini në përfundime dramatike.
Merruni me gjëra të ndryshme gjatë ditës. Ndarjet, qofshin këto me shoqen e ngushtë apo të dashurin, duan kohë të kalojnë, por gjithçka duhet të bëni është ta mbani veten të zënë. Nuk ka asgjë që nuk kalohet nëse merresh me punë apo aktivitet fizik. Futu në palestër, dil me pjesën tjetër të shoqërisë, lexo një libër dhe kërko të mësosh gjëra të reja.
Tako njerëz të rinj, por mos nxito të kërkosh për një tjetër shoqe të ngushtë. Nëse mikesha që ke humbur ishte pikërisht ajo me të cilën dilje më së shumti, e kuptojmë nevojën për ta mbushur atë zbrazëti menjëherë por mos harroni që shoqëritë e mëdha lindin spontanisht dhe në mënyrë organike.
Nuk duhet të forcohesh dhe ta kërkosh me ngulm këtë. Ndërkohë, krijoji vetes hapësira për të dalë me njerëz të rinj. Nëse është nevoja, hiqeni nga rrjetet sociale. E kuptojmë që nuk ka asgjë më acaruese sesa të shohësh atë që dikur bënte gjithçka me ty, t’i bëjë me dikë tjetër dhe për më tepër t’i postojë në Instagram. Të mendosh se ajo nuk do t’ia dijë për këtë humbje, vret, por mund ta shmangni këtë duke e fshirë nga rrjetet sociale.
Përpiqu të mësosh diçka nga e gjithë kjo. Nga ndarjet sigurisht që mund të nxjerrësh shumë përfundime. Nuk do të bësh sërish të njëjtat gabime, apo sjellje dhe mbi të gjitha do të jesh më e kujdesshme në zgjedhjen e radhës. Ose, nëse je ti problemi, do të merresh më shumë me veten për ta ndrequr këtë. Prano që ju mund të mos pajtoheni kurrë! Ka gjasa që jeta të mos ju përballë më kurrë me këtë njeri.