Pas Khersonit, Zelensky: Do të çlirojmë Donbasin e Krimenë!
Dita e 264-rt e luftës ruse në Ukrainë, ndërsa në Khersonin e çliruar nga ukrainasit, ishte për vizitë presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, i cili foli për dy objektiva të rëndësishme: çlirimin nga pushtuesit rusë edhe të Donbasit e të Gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi 8 vjet më parë, në vitin 2014.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje për një qëndrim më realist për të hyrë në negociata me Moskën. Rusia e quan “të papranueshëm” kushtin e vënë nga pala ukrainase që trupat ruse të tërhiqen nga Ukraina, për të zhvilluar bisedime të paqes.
Ndërkaq, luftimet nuk ndalen. Gjatë natës u aktivizua alarmi ajror në shtatë rajone të Ukrainës. Për shkak të bombardimeve, në Zaporizhja u evakuan banorët. Aty ndodhet centrali më i madh bërthamor në Europë, për sigurinë e të cilit gjithnjë ka patur shqetësime. Nga ana tjetër, Kievi shton akuzat për rusët dhe deklaroi se janë zbuluar 400 krime lufte të kryera prej tyre në Kherson, që tani kontrollohet prej ukrainasve.
Rikthimin në Kherson të forcave ukrainase, presidenti Volodymyr Zelensky e përshkroi si “ditë historike”, por zyrtarët paralajmërojnë se në të ardhmen do të ketë përpjekje të vështira. Kjo edhe pse liderët e vendosur nga Rusia më në lindje të Ukrainës kanë sinjalizuar tërheqje të re të forcave ruse.
Autoritetet ukrainase thanë se “stabilizuan” zonën, teksa po përballen me detyrën e vështirë në Kherson për të çaktivizuar bombat e po ashtu, për të siguruar ujë, energji elektrike, si edhe nevojat më bazike për qytetarët.
Para se të largoheshin nga Khersoni, pushtuesit shkatërruan të gjithë infrastrukturën kritike: komunikimet, ujin, ngrohjen dhe energjinë elektrike.
Një tjetër shenjë e presionit ukrainas ndaj forcave pushtuese është se administrata e zgjedhur nga Rusia në qarkun Hahovka, në lindje të Novaja Kherson, njoftoi se po largon stafin “në një territor më të sigurt”.