Presidencialet në Slloveni, zgjidhet e para presidente grua!
Eshtë Natasha Pirc Musar, e cila fitoi raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Slloveni e tani hyn në historinë e vendit, si e para presidente grua e shtetit slloven. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të një dite më parë konfirmojnë se Natasha Pirc Musar fitoi bindshëm ndaj kundërshtarit të saj, Anzhe Llogar.
Me më shumë se 90 për qind të votave të numëruara, 54-vjeçarja fitoi rreth 54 për qind të tyre, ndërsa Llogar mori afro 46 për qind e gjithashtu pranoi humbjen në zgjedhjet e 13 nëntorit. Pas fitores, Pirc Musar theksoi mbështetjen për BE-në e duke nënvizuar qëndrimin pro europian, deklaroi:
Sllovenia zgjodhi një presidente që beson në Bashkimin Europian, në vlerat demokratike mbi të cilat u themelua BE-ja.
Në zgjedhjet presidenciale morën pjesë afro 50 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Pirc Musar do të zëvendësojë presidentin e deritashëm, Borut Pahor, i cili ka qenë aktiv në politikë për më shumë se 30 vjet.
Sa i përket presidentes së ardhshme, duhet theksuar se ajo garoi si e pavarur, por pati edhe mbështetjen e qeverisë sllovene të qendrës së majtë. E lindur më 9 maj të vitit 1968, ka punuar si avokate për mbrojtjen e të dhënave personale, mbajti postin e Komisioneres për Informimin, si dhe njihet si gazetare. Po ashtu ka drejtuar Kryqin e Kuq slloven e ndër të tjera është autore librash.
Kandidatja e pavarur njihet si një figurë kryesore në avokatinë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe po ashtu për çështjet e mbrojtjes sociale.
Në Slloveni, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale u mbajt tre javë më parë. Në atë raund, Llogar, ish-ministër i Punëve të Jashtme i Sllovenisë, mori më shumë vota. Për të votuan 33.95 për qind e qytetarëve, ndërsa për Pirc Musarin vetëm, 26.88 për qind. Por, situata u përmbys dje. Këto ishin zgjedhjet e shtata presidenciale në historinë e shtetit të pavarur të Sllovenisë.