Sot 78-vjetori i çlirimit të Tiranës nga nazifashistët/Urimet e politikës!
Sot shënohet 78-vjetori i çlirimit të Tiranës nga pushtuesit nazifashistë, moment historik që konsiderohet si operacioni i madh, nga më të rëndësishmit, më të ashprit e më të suksesshmit që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH-së kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.
Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korpomatës së I Sulmuese. Shtabi i korpomatës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme.
Plani parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm, me qëllim mbylljen e goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës. Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor).
Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29, 10, – 17, 11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë.
Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH. Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet e rrugët e tij.
Kryebashkiaku Erion Veliaj uroi qytetarët:
Vetëm bashkë mund të bëjmë më të mirën e të kalojmë çdo vështirësi. Gëzuar 78-vjetorin e çlirimit të Tiranës! Sot është dita kur nderojmë heronjtë që luftuan për çlirimin e qytetit , duke na dhënë një mesazh të vyer: se vetëm bashkë mund të bëjmë më të mirën dhe të kalojmë çdo vështirësi.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta:
Çlirimi i kryeqytetit tonë mbetet një nga ngjarjet më madhore të Luftës Antifashiste. Përjetë mirënjohës të gjithë atyre partizanëve që luftuan për çlirimin e Tiranës dhe në veçanti dëshmorëve që dhanë jetën e tyre. Mirënjohje gjithmonë qytetarëve të Tiranës që ngritën barrikadat dhe i kthyen shtëpitë e tyre në kështjella kundër pushtuesve. Sot është edhe një ditë reflektimi për t’iu kthyer qytetarëve të Tiranës lirinë e cenuar nga uzurpatorët. Tirana do të jetë më mirë!