FBI-ja e alarmuar nga stacionet policore kineze në Amerikë!
Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për krijimin e “stacioneve policore” të paautorizuara nga qeveria kineze në qytetet amerikane për të kryer ndoshta presion mbi disa shtetas me origjinë kineze. Kështu u tha ligjvënësve drejtori i FBI-së, Christopher Wray.
Safeguard Defenders, organizatë e të drejtave të njeriut me bazë në Europë, publikoi një raport në shtator ku zbulohet prania e dhjetëra “stacioneve të shërbimit” të policisë kineze në qytetet e mëdha anembanë botës, përfshirë Nju Jorkun. Republikanët në Kongres kërkuan përgjigje nga administrata Biden për ndikimin e tyre.
Në raport thuhet:
Stacionet janë një zgjatim i përpjekjeve të Pekinit për të ushtruar presion ndaj disa shtetasve kinezë ose të afërmve të tyre jashtë vendit, për t’u kthyer në Kinë e për t’u përballur me akuza penale.
Këto aktivitete lidhen me Departamentin e Punës së Frontit të Bashkuar të Kinës, organ i Partisë Komuniste i ngarkuar me përhapjen e ndikimit e propagandës së saj jashtë shtetit.
Jam shumë i shqetësuar për këtë. Ne jemi të vetëdijshëm për ekzistencën e këtyre stacioneve.
Wray foli në një seancë dëgjimore të Komisionit të Sigurisë Kombëtare e Çështjeve Qeveritare të Senatit ku pranoi ekzistencën e tyre, por duke refuzuar të detajojë punën hetimore të FBI-së për këtë çështje.
Por, për mua është skandaloze të mendosh se policia kineze do të përpiqet të hapë pika, le të themi, në Nju Jork, pa koordinimin e duhur. Kjo cënon sovranitetin dhe anashkalon proceset standarde të bashkëpunimit gjyqësor e ligjzbatues.
I pyetur nga senatori republikan, Rick Scott nëse stacione të tilla shkelin ligjin amerikan, ai tha se “FBI po shqyrton parametrat ligjorë”.
Ambasada e Kinës në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Në fillim të këtij muaji, Ministria e Jashtme kineze mohoi se kishte stacione të tilla në Holandë, pas një hetimi nga autoritetet holandeze. Kina tha se ishin zyra për të ndihmuar qytetarët kinezë të rinovonin dokumentet.
Në tetor, Shtetet e Bashkuara ngritën akuza penale kundër shtatë shtetasve kinezë të akuzuar për një fushatë vëzhgimi e ngacmimi ndaj një banori amerikan dhe familjes së tij, në një përpjekje nga qeveria kineze për të riatdhesuar një prej tyre në Kinë. Ky është rasti i fundit në të cilin Departamenti i Drejtësisë vë në shënjestër përpjekjet e Kinës për të gjurmuar njerëzit jashtë vendit që Pekini i quan të dyshuar për krime, nëpërmjet atij që njihet si “Operacioni i Gjuetisë së Dhelprave”.