Koreja e Veriut kërcënon direkt Amerikën, hedh raketën që mund të arrijë tokën amerikane!

vovalbania November 18, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Koreja e Veriut kërcënon direkt Amerikën, hedh raketën që mund të arrijë tokën amerikane!

Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale me kapacitet për të goditur tokën amerikane. Këtë e njoftoi ministri japonez i Mbrojtjes, Yasukazu Hamada. Raketa ra në ujë, rreth 210 kilometra në perëndim të Hokaidos.

Bazuar në llogaritjet e bëra rreth trajektores që përshkoi këtë herë, raketa balistike do të kishte kapacitet udhëtimi prej 15 mijë kilometrash, në varësi prej peshës së kokës bërthamore e në këtë rast, nënkuptohet se do të mund të arrinte në Amerikë.

Phenianit iu bë e ditur se nuk mund të tolerohen veprime të tilla. Shtetet e Bashkuara e dënuan provën, ndërsa Koreja e Jugut dha urdhër për masa më të fuqishme të mbrojtjes kundër vendit komunist. Koreja e Veriut ka bërë thirrje për përgjigje “të ashpër” ndaj çdo rritjeje të pranisë amerikane në Gadishullin Korean. Po ashtu, koreano-veriorët testuan një raketë balistike me rreze të ulët.

Këto zhvillime pasojnë takimin e zhvilluar ditë më parë mes presidentit amerikan, Joe Biden dhe kryeministrit japonez, Fumio Kishida në Kamboxhia. Zëdhënësja e Këshillit për Sigurinë Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, Adrienne Watson, bëri të ditur se “Biden u informua për zhvillimet e fundit” dhe se “SHBA-të do të konsultohen me partnerët”. Në dy muajt e fundit, Koreja e Veriut ka hedhur më shumë se 50 raketa, shumica me rreze të shkurtër.

Raketat me rreze të gjatë janë testuar më rrallë e ato përbëjnë kërcënim direkt për Amerikën, meqë përmbajnë koka bërthamore. Javët e fundit, shteti i udhëhequr nga Kim Jong-un ka dhënë shenja se do të mund të testojë raketa të tilla, si përgjigje ndaj aktiviteteve ushtarake të Uashingtonit rreth Gadishullit Korean.

Këtë vit, Koreja e Veriut miratoi ligjin për t’u vetëshpallur shtet me armë bërthamore. Kim Jong-un, ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për çarmatosje. Pheniani ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën 2006-2017, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare. Ky vend në lindje të Azisë dënon vazhdimisht sanksionet e deklaron se sistemi bërthamor i duhet për qëllime mbrojtjeje.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65738 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE