Pasiguritë në “epokën Musk”, Twitter mbyll përkohësisht zyrat!
Platforma Twitter njoftoi punonjësit se përkohësisht ka mbyllur zyrat e kompanisë. Në një mesazh për të cilin u vu në dijeni BBC, atyre iu komunikua se zyrat do të hapen sërish më 21 nëntor. Ndërkohë, arsyeja e një vendimi të tillë nuk po bëhet e ditur. Por, ky njoftim vjen pas raportimeve se një numër i madh të punësuarish dhanë dorëheqje, pasi pronari i ri, Elon Musk, u kërkoi të nënshkruajnë se janë të gatshëm të punojnë “me orar të gjatë e intensitet të madh”, në të kundërt, të largohen nga kompania.
Po ashtu, në njoftimin për punonjësit u tha se “ata duhet të vazhdojnë të veprojnë në përputhje me politikat e kompanisë dhe të mos diskutojnë informacion konfidencial në rrjetet sociale, në media apo diku tjetër”. Më herët gjatë këtij muaji, Twitter ka bërë të ditur se do të zvogëlojë numrin e stafit me 50 për qind. Para se njeriu më i pasur i botës të merrte kontrollin e Twitter-it, kompania numëronte rreth 7 mijë e 500 vetë që punonin aty.
Musk e mori në kontroll kur pas një kapitulli të gjatë e bleu Twitter-in për 44 miliardë dollarë. Po ashtu, Elon Musk nuk e përjashtoi mundësinë e falimentimit të kësaj platforme online.
Rreth një javë më parë, mediat raportuan se gjatë një mbledhjeje me punonjësit e Twitter-it Elon Musk paralajmëroi se vitin e ardhshëm në buxhetin e kësaj firme mund të ketë humbje prej miliarda dollarësh dhe nëse nuk fitojnë më shumë para’ nga sa shpenzojnë, falimentimi është i pashmangshëm.
Twitter kishte nisur të shënonte humbje kohët e fundit para marrjes nën kontroll nga Elon Musk. Pas blerjes, Musk u ankua për një rënie të të ardhurave, pasi disa kompani të mëdha ulën sasinë e reklamave ose i ndërprenë plotësisht. Kompanitë shprehën shqetësimin se nëse
Twitter zbut rregullat mbi përmbajtjen, siç parashikon Elon Musk, reklamat e tyre mund të shfaqen bashkë me lajme të papërshtatshme.
Gjithashtu, shërbimi i mesazheve të shkurtra ka një hua prej rreth 13 miliardë dollarësh që Elon Musk mori borxh për blerjen e tij.