FIFA kundër mësimeve morale nga sporti, por në Katar ka një skuadër të abuzuar!

vovalbania November 20, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
FIFA kundër mësimeve morale nga sporti, por në Katar ka një skuadër të abuzuar!

Ajo që Katari priste prej 12 vitesh kur mori lajmin se do të jetë vendi organizator i Botërorit të Futbollit 2022, tashmë është realitet. Mes shkëlqimit të dritave e spektaklit të fishekzjarreve, sot ngre siparin edicioni i 22-të i kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik, me pjesëmarrjen e 32 skuadrave të ndara në 8 grupe. Ndërkohë, ka edhe një “skuadër” tjetër që nuk luan futboll, por u kthye në “mollë sherri” mes FIFA-s e grupeve që mbrojnë të drejtat e njeriut, për të cilët kjo është “skuadër e abuzuar”.

Në përbërje ka rreth 30 mijë punëtorë të huaj (referuar shifrave të qeverisë së Katarit), të punësuar vetëm për ndërtimin e stadiumeve. Shumica janë nga Bangladeshi, India, Nepali e Filipinet, ndërsa grupet për të drejtat e njeriut thonë se “në dukje, investimet janë marramendëse, por të paguara me mijëra jetë punëtorësh”.

Të ardhur nga vende të ndryshme, punëtorët u përballën me kushte të rënda pune, si edhe banimi në Katar.

Në një raport të publikuar rreth dy vjet më parë, gazeta britanike “Guardian” vlerësonte se mbi “6 mijë e 500 punëtorë emigrantë nga India, Pakistani, Nepali, Bangladeshi e Sri Lanka gjetën vdekjen në Katar, që nga koha kur vendi i Gjirit Persik fitoi të drejtën e organizimit të Kupës së Botës, në vitin 2010”. Numri i dhënë bazohet në të dhënat e ambasadave të vendeve të huaja në Katar.

Qeveria e Katarit mohon akuzat e flet për “mashtrim” me shifrat, duke vënë në dukje se “jo të gjitha vdekjet e regjistruara janë të njerëzve që kanë punuar në projekte të lidhura me Kupën e Botës”.

Në vitet 2014-2020, 37 punëtorë humbën jetën në kantieret e ndërtimit të stadiumeve të Kupës së Botës. Vetëm tre prej tyre ishin “të lidhura me punimet”.

Nën presionin e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, në vitin 2017, Katari u zotua se do t’i përmirësonte kushtet për punëtorët, nisur nga kufizimi i orëve të punës deri te rritja e standardeve në kampet ku jetojnë. Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, me seli në Londër, thotë se “punëtorëve në Katar u janë njohur disa të drejta, por situata ende është larg objektivave”.

Vazhdojmë të shohim mijëra punëtorë që përballen me abuzim e shfrytëzim shumë të rëndë në punë. Ndër problemet e mëdha, vjedhja e pagave. Ndonjëherë, punëtorët nuk paguhen me muaj të tërë. Po ashtu kemi dokumentuar raste kur emigrantë roje të sigurisë, detyrohen të punojnë deri në 12 orë në ditë, çdo ditë të javës e pa një ditë pushimi për muaj me radhë, pasi punëdhënësit i kërcënojnë me gjoba. Problem i madh është se në shumë raste, Katari nuk i heton vdekjet e punëtorëve emigrantë e familjarët e viktimave, nuk përfitojnë dëmshpërblim.

Por, për “skuadrën e abuzuar” kanë ngritur zërin edhe shoqata europiane të futbollit e vetë lojtarët, të cilëve FIFA iu kërkoi “të fokusohen në futboll”. Sipas kreut të saj, Gianni Infantino, “sporti nuk duhet të japë mësime morale”, një mesazh të cilin e përsëriti edhe dje.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65779 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE