Moti i keq, problematika në veri nga përmbytjet/Evakuime për banorët që rrezikohen!

vovalbania November 20, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Moti i keq, problematika në veri nga përmbytjet/Evakuime për banorët që rrezikohen!

Prej mbrëmjes së djeshme, stuhi të forta dhe reshje të dendura shiu kanë përfshirë territorin shqiptar. Pas parashikimeve për situata më problematike në  Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë e Gjirokastër, Ministria e Mbrojtjes u bëri thirrje bashkive përkatëse të marrin masa. Ndërkohë, sa i përket parashikimit të motit, edhe sot vendi ynë do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme e të lagështa, me origjinë jugore. Vranësirat e reshjet e shiut na shoqërojnë këtë të diel, ndërsa temperaturat variojnë nga 12-21 gradë celcius.

Sot në një deklaratë për mediat, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi informoi për gjendjen në vend:

Janë marrë të gjitha masat, ndërsa janë në gatishmëri Forcat e Armatosura, Emergjencat, Civile, prefekturat dhe bashkitë e vendit. Disa prej bashkive kanë probleme për shkak të reshjeve të shumta. Problematike paraqitet situata në qarkun e Shkodrës.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, në qarkun e Lezhës, në zonën Kurbin ranë rreth 15 mm shi, në zonën e Lezhës, 20 mm shi, në zonën e Zadrimës 131 mm, ku ka edhe disa sipërfaqje të përmbytura në këto zona. Në ish-kënetën Torovicë ku punon Hidrovori i Balldrenit ka rreth 500 ha të përmbytura.

Në qarkun e Shkodrës ka rënë 190 mm shi. Në Kukës ka pasur 4 mm shi. Në Fushë-Arrëz, raportohen dëmtime të rrugëve rurale e shkëputje te energjisë elektrike.

Në Vaun e Dejës situata është pak më problematike, kanë dalë nga shtrati lumi Gjadër e përroi Glinë. U ndërpre energjia elektrike. Në bashkinë Malësi e Madhe doli nga shtrati përroi i Thatë në fshatin Kamicë. Po vijon puna për evakuimin e banorëve që rrezikohen nga përmbytjet. Kemi mbledhur Komitetin e Emergjencave për të rritur nivelin e gatishmërisë.

Ministri Peleshi shtoi:

Lumi Drin tek ura e Baçallëkut ka kuotën 4.8 m nga 7.5 që është ajo kritike. Lumi i Bunës ka kuotë 6.3 m nga 8.2 që përbën pikën kritike, ndërsa lumi Mat nuk ka nivele të larta deri tani.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65252 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE