Policia e Shkodrës e konfirmon, dy të zhdukur nga moti i keq/Kërkime për gjetjen e babait e djalit, shpëton vajza!
Konfirmohen dy të zhdukur nga moti i keq, me shi. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar policia e Shkodrës bën të ditur se për shkak të reshjeve të shumta të shiut, rrjedha e ujit në vendin e quajtur “Grykë Lugje” në Shkrel të Malësisë së Madhe mori përpara automjetin ku udhëtonte 50-vjeçari Pjetër Rushaj, i shoqëruar nga vajza dhe djali i tij.
Paraprakisht, mësohet se vajza e familjes mundi të dalë nga makina dhe e ndihmuar nga një banor i zonës, arriti të shpëtonte, fatmirësisht jashtë rreziku për jetën. Ndërkaq, vazhdojnë kërkimet për 50-vjeçarin e djalin e tij. Në këto kërkime janë përfshirë edhe polumbarë të RENEA-s.
Njoftimi zyrtar i Policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësisë e Madhe kanë marrë informacion se në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe, rrjedha e ujit të përroit kishte marrë përpara një automjet me të cilin udhëtonin tre persona, banorë të zonës. (babai, djali dhe vajza).
Në momentin që rrjedha e ujit ka marrë përpara automjetin që drejtohej nga shtetasi P. R., rreth 50 vjeç, vajza ka mundur të dalë dhe është ndihmuar nga një banor i zonës. Vajza ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa babanë e vajzës dhe vëllanë e saj i ka marrë rrjedha e ujit.
Në vendngjarje ndodhen polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH-së Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, të cilët po punojnë për gjetjen e dy shtetasve (babë e bir).