Gjykata e Lartë “frenon” Skocinë: Jo referendum të dytë pa lejen e qeverisë britanike!

vovalbania November 23, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Gjykata e Lartë “frenon” Skocinë: Jo referendum të dytë pa lejen e qeverisë britanike!

Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar sot doli në vendimin se “Skocia nuk mund të mbajë referendum të dytë për pavarësi, pa lejen e qeverisë britanike”. Tashmë, ky vendim e kthen një hap pas fushatën e ekzekutivit skocez që synonte të largohej nga Mbretëria e Bashkuar.

Në vitin 2014, skocezët nuk pranuan t’i jepnin fund bashkimit më shumë se 300-vjeçar me Anglinë. Më shumë se gjysma e tyre, 55%, votoi kundër pavarësisë nga Mbretëria e Bashkuar në referendumin e mbajtur në atë kohë.

Por, aktivistët që me ngulm kërkojnë largimin besojnë se referendumi do të mund të jepte të tjera rezultate nëse mbahet sërish tani, dy vjet pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, gjë që skocezët e patën kundërshtuar.

Me pyetjen “A duhet të jetë Skocia vend i pavarur?”, qeveria gjysmëautonome e Skocisë dëshiron të mbajë një referendum në tetor të vitit të ardhshëm.

Kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon, lidere e Partisë Kombëtare Skoceze (SNP) që mbështet lëvizjen për pavarësi, më herët këtë vit ka bërë të ditur se referendumi planifikohej për në datën 19 tetor, por se ai duhet të jetë i ligjshëm e të njihet ndërkombëtarisht.

Ndërkohë, Gjykata e Lartë konstatoi se nuk është në kompetencën e Parlamentit skocez “të bëjë legjislacionin për një referendum mbi pavarësinë skoceze”. Qeveria konservatore e Mbretërisë së Bashkuar në Londër ka refuzuar ta pranojë një votim të tillë, duke theksuar se përgjigjja e kësaj pyetjeje u dha në një referendum të vitit 2014.

Anketat e fundit sugjerojnë se skocezët mbeten të ndarë në dy pjesë lidhur me këtë çështje. Sipas Aktit të Skocisë të vitit 1998, i cili krijoi Parlamentin skocez dhe ia kaloi atij disa kompetenca nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar, të gjitha çështjet që lidhen me Unionin e Mbretërive të Skocisë dhe Anglisë i rezervohen Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65768 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE