Përmbytjet, uji po tërhiqet nga veriu, por ka shqetësim për reshjet në jug!

vovalbania November 23, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Përmbytjet, uji po tërhiqet nga veriu, por ka shqetësim për reshjet në jug!

Për shkak të rënies të intensitetit të reshjeve të shiut, në hidrocentralin e Komanit nuk ka më shkarkime. Në të Vaut të Dejës janë fare minimale, 6-7 herë më të ulëta se në fillim e nuk ndikojnë në përkeqësimin e situatës së përmbytjeve. Kjo bëhet e ditur nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, sipas të cilit intensiteti mesatar i tyre në veri ka bërë që problematika e përmbytjeve të jetë ende prezente, por uji është tërhequr e pothuajse 3/4 e sipërfaqes u liruan.

Në Shkodër e Lezhë, dy qarqet më të prekura, ende ka sipërfaqe nën ujë. Në bashkinë e Shkodrës, zonat më të goditura janë Ana e Malit, Dajçi, Velipoja, Guri i Zi, Bërdica, lagjet nr.1 e 14 dhe Oboti. U evakuuan 22 familje, nga 52 që ishin në fillim. Nuk ka asnjë banesë me prezencë uji. Sipërfaqja e përmbytur është 1305 ha.

Në bashkinë Lezhë, zonat më të prekura janë Dajçi, Blinishti e Balldreni, ku numërohen katër banesa me prezencë uji dhe një sipërfaqe e përmbytur prej rreth 1300 ha. Raportohet një situatë drejt normalizimit të shpejtë në Durrës, Kukës e Dibër. Ndërkohë, po monitorohet lumi Vjosë pasi ka një zhvendosje drejt jugut të reshjeve me intensitet të konsiderueshëm. Priten prurje të larta në lumenjtë Shushicë e Drino.

Në Gjirokastër, nga era e fortë pati shkëputje të energjisë elektrike në disa zona, si Këlcyrë, Memaliaj, Gjirokastër, Tepelenë. Nga OSHEE-ja po punohet për ta rikthyer. Sipas ministrit Peleshi, ndodhi vetëm një rrëshqitje inertesh në Kardhiq-Delvinë, ndërsa akset kombëtare janë të hapura. Por, ato dytësore paraqesin rrezikshmëri sa kohë vazhdojnë reshjet, ndaj apelohet për kujdes.

Sa i përket parashikimit të motit, edhe në vijim, në vendin tonë do të dominojnë kushte atmosferike të paqëndrueshme, me vranësira e reshje shiu, kryesisht në veri e në jug të territorit. Ndërkohë, temperaturat luhaten në vlerat ditore nga 4 deri në 17 gradë celcius.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65234 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE