“FIFA e korruptuar”, Parlamenti Evropian kërkon ndihmë për familjet e punëtorëve të vdekur në Katar

vovalbania November 24, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
“FIFA e korruptuar”, Parlamenti Evropian kërkon ndihmë për familjet e punëtorëve të vdekur në Katar

Parlamenti Evropian miratoi sot (e enjte, 24 nëntor) një rezolutë për gjendjen e të drejtave të njeriut në Katar, në të cilën vlerësohet se zgjedhja e këtij vendi për organizimin e Botërorit në futboll është përcjellë me akuza bindëse për korrupsion.

Në rezolutë, Parlamenti Evropian shprehu keqardhjen e tij për “vdekjen e mijëra punëtorëve migrantë në Katar”, kryesisht punëtorë ndërtimi, të cilët ndërtuan objektet për Kampionatin Botëror të Futbollit, si dhe për të gjithë ata që u lënduan.

Gjithashtu, me synimin për të mbrojtur sportistët dhe tifozët, vlerësohet se organizimi i ngjarjeve sportive ndërkombëtare nuk duhet t’u jepet vendeve ku shkelen të drejtat themelore të njeriut dhe ku mbizotëron dhuna gjinore.

Është vlerësuar se në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) ka korrupsion “të shfrenuar, sistematik dhe të rrënjosur thellë”.

Përfaqësuesit e Parlamentit Evropian shprehën keqardhjen e tyre që ndarja e organizimit të Kupës së Botës në Katar, në vitin 2010, nuk ishte transparente dhe me vlerësim të pasojave të dëmshme.

Është theksuar se FIFA ka dëmtuar rëndë reputacionin dhe integritetin e futbollit botëror, njoftoi Parlamenti Evropian.

Parlamenti Evropian vlerësoi gjithashtu se autoritetet e Katarit duhet të kryejnë një hetim të plotë për vdekjen e punëtorëve migrantë dhe të kompensojnë familjet e tyre, në rast se kanë pësuar për shkak të kushteve të punës.

Siç u tha, FIFA gjithashtu duhet të kontribuojë edhe në një program gjithëpërfshirës për përmirësimin e pozitës së familjeve të punëtorëve, si kompensim për kushtet, të cilave iu nënshtruan ata.

Rezoluta shpreh gjithashtu keqardhje për pozitën e komunitetit LGBT në Katar, anëtarët e të cilit, sipas ligjit vendor, në çdo kohë mund të paraburgosen deri në gjashtë muaj, pa asnjë aktakuzë apo gjykim.

Një numër përfaqësuesish në Parlamentin Evropian, të enjten mbajtën shirita me mbishkrimin “Një dashuri” (“One Love”), pasi disa futbollistë në Katar hoqën dorë nga një gjë e tillë, nën presionin e FIFA-s.

Qeveria e Katarit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për të komentuar këtë, raporton Reuters.

FIFA ka paralajmëruar më herët skuadrat se lojtarët e tyre do të marrin kartonë të verdhë përpara ndeshjeve, nëse kapitenët mbajnë shirita me fjalët “Një dashuri”, të cilat ajo nuk i miratoi.

Shtatë ekipet kombëtare evropiane që synonin që në ndeshjet në Katar të mbanin shiritin e kapitenit me ngjyra të ylberit, thanë se ishin të përgatitur të paguanin gjoba për këtë, por nuk mund të merrnin mbi vete rrezikun e kartonëve të verdhë për lojtarët e tyre.

Ankesat për organizimin e Kampionatit Botëror të Futbollit në Katar filluan 12 vjet më parë kur FIFA, përmes votimit të fshehtë, vendosi t’ia jepte organizimin një shteti të vogël me naftë, thekson The Wall Street Journal.

Në shkurt të vitit 2021, gazeta The Guardian raportoi se 6.500 punëtorë migrantë nga India, Pakistani, Nepali, Bangladeshi dhe Shri Lanka kishin vdekur në Katar që kur u vendos që ky vend të jetë nikoqir i Kampionatit Botëror të Futbollit.

Kjo e dhënë bazohet në shifrat e dhëna nga ambasadat e vendeve në Katar.

Megjithatë, Qeveria e Katarit tha se numri i përgjithshëm ishte i pasaktë, sepse të gjitha rastet e evidentuara të vdekjes, nuk kanë të bëjnë me njerëzit që punonin në projekte të lidhura me Kampionatin Botëror.

Kritikët, në mesin e të cilëve janë tifozët, lojtarët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, theksuan se për shkak të trajtimit të punëtorëve migrantë dhe ndalimit të homoseksualitetit në Katar, vendi konservator nuk është i përshtatshëm për ardhjen e më shumë se një milion tifozëve nga e gjithë bota.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65249 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE