Kupa e Botës, Australia mundi Tunizinë, kryeson Grupin D me Francën!
Poloni-Arabi Saudite është ndeshja e dytë që po luhet sot, në Botërorin “Katar 2022” e që nisi në orën 14:00. Më herët gjatë ditës u zhvillua Tunizi-Australi që përfundoi 0-1.
Australianët mundën tunizianët falë një goli të shënuar nga Mitchell. Sulmuesi 31-vjeçar, i cili aktivizohet në Japoni, realizoi një gol shumë të bukur me kokë dhe i dhuroi Australisë pikët e para në Grupin D. Tunizia luftoi fort, ushtroi presion e krijoi disa mundësi të mira, por lojtarët e Jalel Kadri nuk ia dolën të mposhtnin portierin Mathew Ryan. Francë-Danimarkë është përballja tjetër e raundit të dytë në këtë grup. Sfida fillon në orën 17:00.
Momentalisht, Grupi D kryesohet nga Franca dhe Australia me nga tre pikë, ndërsa Tunizia dhe Danimarka numërojnë nga një pikë pas barazimit pa gola mes tyre në takimin e parë.
Në prag të duelit, trajneri i gjelave, Didier Deschamps u shpreh se Danimarka është ekip i nënvlerësuar, në krahasim me vlerën reale që ka. “Na ka bërë të vuajmë shumë. Duhet ta ndryshojmë këtë trend”, – tha tekniku francez.
E ndërkohë, në një tjetër zhvillim të lidhur me këtë Botëror shumë të diskutueshëm, mësohet se Cristiano Ronaldo është cilësuar “gjeni” për marrjen e penalltisë së diskutueshme të Portugalisë në fitoren 3-2 ndaj Ganës në Kupën e Botës. 37-vjeçari shënoi golin e parë të Portugalisë nga pika e 11-metërshit për t’u bërë lojtari i parë që shënon në pesë turne të veçantë të Kupës së Botës, megjithëse vendimi për të dhënë penalltinë e tërboi Ganën.
Megjithatë, një anëtar i FIFA-s ka sugjeruar se dhënia e penalltisë ishte për shkak të veprimit të Ronaldos. Në një konferencë në Doha, anëtari i grupit të studimit teknik të FIFA-s (TSG), Sunday Oliseh, deklaroi se sulmuesit po “bëhen më të zgjuar” dhe beson se ishte inteligjenca e Ronaldos që çoi në dhënien e penalltisë.
Penalltia e Ronaldos, njerëzit mund të thonë çfarë të duan për të, por zgjuarsia për të pritur atë sekondë, për të prekur topin, për të vazhduar dhe më pas për të marrë kontaktin. Kjo është gjeniale!