Banorët në ishullin italian Iskia: Gjithçka është groposur nga balta

vovalbania November 27, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Banorët në ishullin italian Iskia: Gjithçka është groposur nga balta

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të dytën ditë me radhë për gjetjen e personave që rezultojnë të zhdukur nga rrëshqitja masive e dheut në ishullin italian Iskia. Balta dhe mbetjet e grumbulluara në disa zona arrijnë deri në 6 metra lartësi. Sipas shërbimit zjarrfikës ekziston rreziku për rrëshqitje të tjera të tokës.

Ekipet e shpëtimit vazhdonin të rrëmonin për të dytën ditë mes baltës dhe mbetjeve të mbledhura, për të gjetur personat që mendohet se u zhdukën pas rrëshqitjes së tokës në Iskia.

Roja bregdetare italiane filloi të dielën të bëjë bilancin e dëmeve të shkaktuara pas reshjeve të dendura dhe rrëshqitjes që pasoi.

Shirat e rrëmbyeshëm në portin Casamicciola Terme, në një prej gjashtë qytezave të ishullit, në orët e para të së shtunës shkaktuan përmbytje dhe shembën ndërtesat. Brenda gjashtë orësh, në ishull pati reshje prej 126 milimetrash, niveli më i lartë në 20 vjet.

“Jemi familje fermerësh. Kemi tokë dhe pyll. Im bir u bllokua në çatinë e shtëpisë. Unë qëndrova në hotel dhe erdhën të më marrin karabinierët. Nuk di se si arriti të zbresë djali. Çdo gjë në luginë është varrosur. Kam parë dhjetëra tërmete dhe përmbytje dhe asnjëra nuk ka bërë ndonjë gjë të tillë…”, thotë banori 83-vjeçar Pasquale Barbieri.

Shërbimi zjarrfikës njoftoi se në pjesët më malore të ishullit ekipet e shpëtimit kishin hyrë më këmbë, ndërsa vazhdonte rreziku i rrëshqitjeve të reja të tokës.

Buldozerë të vegjël u përdorën për hapjen e rrugëve gjatë natës duke mundësuar qarkullimin e mjeteve. Ekipe zhytësish u sollën për të kontrolluar makinat që gjenden të zhytura përgjatë bregdetit, të shtyra në det nga rrëshkitja e dheut dhe përmbytjet.

Banorët vështronin baltën e ngjeshur, gurët dhe mbetjet. Ekspertët thanë se katastrofa u përkeqësua nga ndërtimet me rrezikshmëri të lartë në këtë ishull malor. Sipas gjeologut Riccardo Caniparoli janë shkelur rregullat dhe ligjet duke ndërtuar në terren me ujë, i cili ishte edhe shkaku kryesor i katastrofës pas reshjeve të mëdha.

“Është faji i politikanëve tanë, që nuk bënë punimet parandaluese në male. Prenë pyjet dhe kjo është pasoja. Ndodhi njëherë më parë në 2010 kur vdiq një vajzë 15 vjeçare. Këtë radhë është një katastrofë”, thotë banori 72-vjeçar Ciro Buono.

Qeveria italiane shpalli gjendjen e emergjencës gjatë një takimi të dielën të kabinetit qeveritar dhe caktoi 2 milionë Euro fonde për operacionet e shpëtimit dhe rikthimin e shërbimeve publike.

Një zyrtar i qeverisë njoftoi se një grua u gjend e vdekur dhe se po vazhdojnë kërkimet për 10 persona të tjerë që rezultojnë të zhdukur. Deri të dielën, 164 persona kishin mbetur të pastrehë, ndërsa 15 shtëpi ishin rrënuar. Gjatë meshës në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku shprehu solidaritetin e tij me popullin e Iskias dhe tha se “po lutet për viktimat, për ata që po vuajnë dhe për ata që janë bërë pjesë e përpjekjeve të shpëtimit”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65777 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE