Mijëra mjekë më pak në Britani, shkak Brexit!
“Largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian e ka ulur me gati 4 mijë numrin e mjekëve europianë që kanë punuar për Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë në këtë shtet”. Në këtë përfundim del një studim i kryer nga instituti Nuffield Trust. Dokumenti nxjerr në pah mungesat e anestezistëve, pediatërve e specialistëve të zemrës dhe mushkërive.
Sipas studimit, rreth 37 mijë mjekë nga shtetet europiane kanë punuar në Britaninë e Madhe vitin e kaluar. Megjithatë, Brexit-i ka ndikuar në uljen e rekrutimit të stafit mjekësor. Në një tjetër skenar, Britania e Madhe do të rekrutonte më shumë se 41 mijë mjekë europianë, më tepër se 4 mijë krahasuar me aktualisht.
Prej kohës kur Britania u largua nga Blloku Europian, specialistëve u duhet vizë pune, çka shoqërohet edhe me kosto të larta e procedura burokratike. Kitty Mohan nga Shoqata e Mjekëve Britanikë, sot i deklaroi të përditshmes britanike, Guardian, se edhe nëse më shumë britanikë studiojnë në fushën e mjekësisë, problemi me mungesat nuk do të zgjidhet shpejt.
Kjo për shkak të kohës që duhet për kualifikimin. Sistemi shëndetësor në Britani konsiderohet me probleme kronike sa u përket fondeve dhe stafit. Vetëm në Angli besohet se ka mungesë të mbi 10 mijë e 500 bluzave të bardha.
Zyrtarisht, Britania e Madhe u largua nga Bashkimi Europian më 31 janar të vitit 2020, pas një referendumi kundër anëtarësimit në këtë bllok, pjesë e të cilit ishte bërë më 1 janar të vitit 1973.